Rimbursimi i transportit për pacientët e hemodializës, vetëm 1000 lekë në muaj
Në emisionin investigativ “Fiks Fare”, u denoncua shqetësimi i të sëmurëve që marrin shërbimin e dializës se, rimbursimi që iu bëhet për transportin nuk i mbulon aspak shpenzimet e rrugës.
Të sëmurët, të cilët vuajnë nga veshkat dhe kanë nevojë për shërbimin e dializës, marrin nga shteti vetëm 10 mijë lekë të vjetra në muaj për transportin. Pavarësisht distancës nga shtëpia e pacientit deri në vendin ku kryhet ky shërbim, vlera që rimbursohet nga shteti nuk ndryshon.
Por kjo tarifë nuk mbulon pothuajse asgjë, pasi sipas rastit të denoncuar në “Fiks Fare” një grupi pacientësh nga Berati transporti iu kushton të paktën 360 lekë në ditë, kur ata duhet të kryejnë dializën tre herë në javë ose rreth 13 herë në muaj. Por ka edhe nga ata që janë të detyruar të marrin taksi, pasi nuk ecin dot në këmbë dhe ky shërbim iu kushton 10 mijë lekë të vjetra vajtje–ardhje në ditë, aq sa vlera që këta të sëmurë rimbursohen për të gjithë muajin.
Gazetarët e emisionit “Fiks Fare” ndoqën problemin e pacientëve nga Kuçova, Lumasi dhe Kutallia.
Besim Braçe ishte nga fshati Kutalli, prej 7 vitesh ai udhëtonte deri në qytetin e Beratit ku kryhet shërbimi i dializës. Për të arritur në spitalin e Beratit, duhet të marrë fillimisht furgonin që kushton 300 lekë vajtje-ardhje në ditë. Furgoni e lë pacientin në terminalin e mjeteve të transportit dhe prej këtu ai merr transportin qytetas për të shkuar tek qendra shëndetësore. Autobusi kushton 30 lekë. Në total, zotëria çdo ditë shpenzon 360 lekë vetëm për transportin. Kjo shumë e shumëzuar me 13 herë që i duhet Besimit të kryejë dializën në muaj arrin në 4600 lekë, ndërkohë që nga shteti ai merr vetëm 1000 lekë.
Problem tjetër për këta pacientë është marrja e rimbursimeve të cilat vonojnë disa muaj. Sipas shefes së Financës në Spitalin Rajonal të Beratit, Albina Dulo, kjo kategori nuk ka marrë ende rimbursimin e muajit dhjetor pasi ende nuk është lëvruar fondi. Përveç kësaj, shërbimi i dializës ka nevojë të shoqërohet dhe me medikamente të posaçme, të cilat gjenden vetëm në Tiranë dhe pavarësisht se medikamentet janë të rimbursueshme nga shteti, atyre nuk iu rimbursohet transporti. /m.g
Burimi: Top Channel