Refugjatët tentojnë Maqedoninë përmes lumit, ushtria i kthen pas
Situata e rënduar humanitare në fshatin kufitar grek Idomeni, ka detyruar më tepër se 300 refugjatë të tentojnë dëshpërimisht kalimin drejt Maqedonisë, duke përshkuar lumin Chamilo.
Autoritetet maqedonase deklaruan dje se kanë gjetur tre trupa të pajetë në pikën ku refugjatët kalonin lumin, e kanë shpëtuar dhjetëra të tjerë nga mbytja.
Megjithë përpjekjet e tyre, refugjatët që ia dolën t’i mbijetojnë ujërave të rrëmbyera të lumit, u pritën nga trupat e ushtrisë Maqedonase, që i kthyen refugjatët në Greqi.
Maqedonia ka ndërtuar një gardh 27 kilometra përgjatë kufirit me Greqinë për të ndaluar hyrjet e paligjshme. Gardhi ndodhet në perëndim dhe lindje nga pika kufitare Idomeni, ku refugjatët janë akomoduar me tenda.
Javën e shkuar, liderët europianë dhe Turqia diskutuan mënyra për të penguar valën e refugjatëve dhe migrantëve që përpiqen të arrijnë në BE përmes itinerarit të Ballkanit.
Pas bisedimeve në Bruksel, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, paralajmëroi se ditët e migracionit të parregullt në Europë morën fund.
Ai këmbënguli se vala e refugjatëve nga Turqia dhe Greqia mbetet shumë e lartë dhe se duhet ulur ndjeshëm.
Emigrantët përpiqen të hyjnë në Maqedoni përmes lumit/Video: VOA
/l.k./