14 foshnja në 1000 lindje në Shqipëri, lindin me anomali
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, në Shqipëri lindin 14-15 foshnja në 1000 lindje të gjalla me defekte të lindura. Sipas këtyre të dhënave, rreth 60% e foshnjave me defekte të lindura banojnë në zonat rurale dhe 70% e rasteve janë meshkuj.
Anomalitë e lindura mund të rezultojnë në paaftësi afatgjata, të cilat mund të kenë ndikime të rëndësishme te individët, familjet, sistemet e kujdesit shëndetësor dhe shoqëritë. Sipas të dhënave të mbledhura nga sistemi i survejancës së defekteve të lindura, defektet më të zakonshme në vendin tonë prekin sistemin kardiovaskular, muskuloskeletik, gastrointestinal, atë genital dhe sistemin nervor.
Specialistët e ISHP-së thonë se në rreth 50% të rasteve është e vështirë të identifikohen shkaqet e anomalive, por ka edhe disa faktorë rreziku të njohur, siç janë faktorët socio-ekonomikë, demografikë, gjenetikë, infeksionet dhe kequshqyerja e nënës gjatë shatëzënisë.
Sa i përket faktorëve gjenetikë, kur dy prindërit kanë lidhje gjaku, pothuajse dyfishohet mundësia për anomali tek foshnjat. Gjithashtu mosha e avancuar apo mosha tepër e re e nënave ndikojnë në defektët e lindura.
ISHP shkruan se të tjerë faktorë lidhen me mjedisin. Ekspozimi i nënës ndaj pesticideve, kimikateve apo alkoolit, duhanit dhe medikamenteve të caktuara rrisin rrezikun e të pasurit një fëmijë të prekur nga anomalitë e lindura.
Parandalimi i këtij problem bëhet duke përmirësuar dietën ushqimore kontrolli i diabetit para dhe gjatë shtatëzënisë dhe shmangia e ekspozimit ndaj substancave të rrezikshme mjedisore. /m.g
Shkrimi i plotë i Institutit të Shëndetit Publik