Aktivistja Deni Sanxhaku i përgjigjet Nikolin Jakës
“Në Shqipëri ka punë, por shqiptarët nuk kanë shumë dëshirë për të punuar”
Me këtë thënie kreu i Dhomës Kombëtare të Tregtisë Nikolin Jaka duket se e ka gjetur shkakun e papunësisë dhe varfërisë në Shqipëri.
Tingëllon sa e çuditshme aq edhe qesharake por ajo që habit më shumë është se si “zbulime” të tilla mund të thuhen gjatë një takimi për nxitjen e punësimit mes ministrit të Mirëqënies Sociale dhe përfaqësuesve të biznesit.
Po në këtë deklaratë, Nikolin Jaka na prezanton dhe me një gjetje tjetër. Sipas tij, punëtorët grekë, malazezë, maqedonas e kosovarë nuk është se kanë paga më të larta se ne, por kanë më shumë dëshirë për të punuar. Me sa duket, raporti i Eurostat për vitin 2015 ku Shqipëria renditet si vendi me pagën minimale më të ulët në Europë me vetëm 160 euro në muaj, qenka i gabuar.
Deni Sanxhaku, aktiviste për të drejtat e njeriut, përmes këtij reagimi e ka ftuar kryetarin e Dhomës së Tregtisë ta shohë problemin e papunësisë pak më thellë se sa thjesht “dëshira për të punuar”:
“Në një vend ku grevat i bëjnë pronarët dhe jo punëtorët pavarësisht keqpagimit, kushteve skandaloze të punës, presioneve dhe nëpërkëmbjes së vazhdueshme, edhe papunësisë i gjendet shkaku dhe dermani: shqiptaret vuajne nga mungesa e dëshires për punë, jo nga mungesa e vendeve të punës. Pra papunesia si çështje “mood of the day”, jo si nje problem strukturor ekonomik, e për rrjedhojë sfida e vetme sipas biznesit na qenkerka gjetja e çelësit magjik që ndez deshiren për punë te shqiptaret dembelë.”, shkruan ajo në Facebook.
/l.k./