PARK(ING) PËR MAKINAT APO PARK PËR QYTETARËT?
EDVIN PACARA
Vendimi i Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e një parkingu 4-katësh nën nivelin e tokës së parkut “Rinia” ishte një lëvizje e papritur e Bashkisë së Tiranës, që habiti shoqërinë civile dhe aktivistët mjedisorë në Tiranë. Mjedisorët e Tiranës kanë vite që rekomandojnë parkingjet nën e mbitokësorë në Tiranë, si një mënyrë për të liruar trafikun në Tiranë, por nuk u shkonte ndërmend që kjo do të bëhet duke sakrifikuar parkun e vetëm në qendër të Tiranës dhe lulishtet e tjera të pakta në zonën e qendrës.
Tirana është një “bombë ekologjike”, një nga kryeqytetet me ajrin më të ndotur në Europë, ndotje që shkakton 500 vdekje të parakohshme në vit, sipas OBSH-së, dhe ulje të imunitetit të banorëve të Tiranës. Ndotja nga grimcat e imëta të pluhurit e gazrave ndotës të tjerë shkon në 30-40% mbi normat maksimale të lejuara nga BE-ja, kjo sipas matjeve të realizuara nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Pothuajse të gjitha studimet nxjerrin si shkaktar të ndotjes ushtrinë prej qindra mijëra automjetesh që lëviz çdo ditë në rrugët e Tiranës. Detyrimisht, çdo administratë e Bashkisë së Tiranës e ka (ose duhet ta ketë) luftën kundër ndotjes së ajrit prioritet numër një. Megjithatë, ndërtimi i një sërë parkingjesh në qendrën e Tiranës nuk e ul ndotjen e ajrit, por shërben si një stimul për banorët e Tiranës që të lëvizin më shumë me makina drejt qendrës, dhe shton numrin e makinave drejt qendrës së Tiranës. Tirana është një qytet shumë i dendur tashmë dhe e vetmja zgjidhje për uljen e ndotjes së ajrit është krijimi i një transporti urban të shpejtë dhe efikas. Një zgjidhje e shpejtë dhe me kosto më të ulëta se tramvaji apo metroja janë autobusët elektrikë me tela, ose trolejbus nga anglishtja. Këta autobusë nuk kanë nevojë për shina, instalimi i infrastrukturës për funksionimin e tyre merr pak kohë, nuk kanë asnjë lloj emetimi dhe kanë nivele shumë të ulëta zhurme. Trolejbusët gjenden në pothuajse të gjitha kryeqytetet europiane. Një rrjet i dendur mbulimi të Tiranës me autobusë elektrikë, duke qenë i shpejtë dhe i pastër, do të sillte uljen e nevojës së banorëve për të lëvizur me makina dhe uljen e ndotjes së ajrit.
Parku “Rinia” është pjesë e identitetit të Tiranës, ashtu si dhe Central Park në Nju Jork. Në kryeqytetet e vendeve të tjera të Europës, parqet janë hapësira të patjetërsueshme. Pra, një park që ka qenë pjesë e historisë së një qyteti, nuk mund të tjetërsohet e të shërbejë për një qëllim tjetër përveçse atij të parkut, ofrimit të një hapësire çlodhëse e pushuese për banorët.
Ndërtimi i një parkingu në parkun “Rinia” do të përkthehej si shkatërrim apo tjetërsim i parkut. Megjithëse vendimi për t’u bërë parking nuk është shoqëruar me një projekt sesi do të bëhet ky parking, informacionet e vetme vijnë në mënyrë joformale nga Bashkia e Tiranës së parkingu do të jetë 4 kate nëntokë nga niveli aktual i parkut. Po në mënyrë joformale, jepet informacion se pemët që gjenden aktualisht në park do të hiqen, dhe më vonë do të rikthehen për të vendosur mbi tarracën e këtij parkingu nëntokësor, por nuk jepet asnjë informacion sesa e thellë do të jetë shtresa e dheut që do të hidhet mbi këtë tarracë të këtij parkingu. Pemët që gjenden aktualisht në parkun “Rinia” janë tepër të mëdha për t’u hequr, vendosur diku tjetër, e pastaj të hiqen prapë e të risillen për t’u mbjellë në shtresën e dheut që do të hidhet mbi tarracën e parkingut të menduar. Rrënjët e pemëve në një moshë të tillë shtrihen në një rreze prej qindra metrash dhe një thellësi 1,5-3 m nëntokë. Heqja e tyre pa e vrarë pemën është praktikisht e pamundur.
Duke ndërtuar një parking nëntokë në parkun “Rinia”, pamundësohet përthithja dhe depërtimi i ujërave të shiut në nëntokën e parkut “Rinia”. Kjo do të thotë që ujërat që do të grumbullohen mbi tarracën e këtij parkingu nëntokësor, do të duhet të drenazhohen në sistemin e kanalizimeve të Tiranës, duke i shtuar kështu më tepër ujë rrjetit të mbingarkuar të kanalizimeve të Tiranës. Tirana ka nevojë për të çliruar sa më shumë sipërfaqe toke nga betoni e asfalti, në mënyrë që të lejojë ujin e shiut të depërtojë në tokë, ujë që tani rrjedh me shpejtësi në sipërfaqet e betonuara dhe përfundon në kanalizime që nuk mund të përballojnë këtë sasi të madhe, duke sjellë dhe përmbytjet e shpeshta të Tiranës.
Vendimi për parking te parku “Rinia” u bë në shkelje me Konventën e Aarhusit, konventë që Shqipëria e ka ratifikuar që në vitin 2001 dhe që detyron autoritetet të informojnë qytetarët për projekte që ndërhyjnë në mjedis, dhe të bëjnë dëgjesa me komunitetin rreth këtyre projekteve. Pra, miratohet një ndërtim para se të kemi një projekt konkret për të parë se çfarë do të bëhet e si do të bëhet një tjetërsim i parkut “Rinia”.
Tirana ka mjaft sipërfaqe toke të përshtatshme që mund të përdoren për parkingje nën e mbitokësore, duke bërë riciklimin e terrenit aktual në Tiranë. Aktualisht, kemi një sërë parkingjesh private të shpërndara kudo në Tiranë, që shumë mirë mund të kthehen në parkingje të mëdha që kanë disa kate nën dhe mbi tokë, dhe që do të zinin shumë më tepër automjete sesa parkingjet nëntokësore të propozuara për t’u bërë në parkun “Rinia” e lulishtet e pakta të mbetura në qendrën e Tiranës. Gjithashtu kemi një numër të madh terrenesh që nuk janë lulishte apo park, të cilët shumë mirë mund të kthehen në parkingje nën e mbitokësore. /l.k./
/GazetaShqip