Rreth një milion italianë protestuan për bashkëjetesën civile
Italianët i kanë dërguar një mesazh të fortë qeverisë së tyre në emër të l’amore.
Duke e përshëndetur si “një ditë historike për vendin tonë”, grupi Arcigay LGBT vlerësoi se 1 milion njerëz dolën në rrugë të shtunën në rreth 100 qytete në gjithë Italinë.
Protestuesit po u bëjnë thirrje ligjvënësve të tyre që të kalojnë legjislacionin që do të njihte bashkëjetesën civile për çiftet e të njëjtit seks. Ky legjislacion pritet gjithashtu të japë kujdestarinë e fëmijëve të rritur nga këto çifte, të dy partnerëve, jo vetëm prindit biologjik.
Italia është vendi i fundit perëndimor evropian pa ndonjë formë të njohjes së marrëdhënieve për çiftet e të njëjtit seks.
Senati do të fillojë debatin mbi projekt-ligjin e bashkëjetesës civile të enjten. Nëse ai e kalon ligjin, do të shkojë në dhomën tjetër të Parlamentit, në Dhomën e Deputetëve. Pritet që të kalojë në të dyja dhomat, por përkrahësit në këtë vend kryesisht katolik kanë frikë se do të dobësohet gjatë procesit.
Opozita ka propozuar deri në 6.000 amendamente që do ta pengonin atë, duke përfshirë një që do të ndëshkonte çiftet e të njëjtit seks që përdorin mitra me qera jashtë shtetit për t’u bërë prindër.
Papa Françesku, me pyetjen e famshme “Kush jam unë për të gjykuar?” kur erdhi puna tek priftërinjtë gej, gjithashtu bëri komentet përpara debatit që pritet të enjten.
“Nuk mund të ketë konfuzion midis familjes që Perëndia dëshiron dhe çdo lloj tjetër bashkimi,” tha ai të premten në Vatikan.
“Familja, e themeluar mbi martesën e pazgjidhshme që bashkon dhe lejon krijimin e jetës, është pjesë e ëndrrës së Perëndisë dhe e Kishës së Tij për shpëtimin e njerëzimit”, përfundoi ai./A.A.