Harroni gjithçka, spektakli po fillon!
Po fillon sërisht një nga seritë e spektaklit politik. Me shumë gjasa më të njetit protagonistë. Meta, Rama, Berisha, Basha në rolet kryesore. Ismailaj dhe CEZ subjekti i rradhës. Tan Hoxha, Dritan Prifti, Tom Doshi etj në rolet e tyre plotësuese. Telenovela do të shfaqet live në të gjitha televizionet dhe do të analizohet po live në studiot e Fevziut, Ballës etj. Si në seritë e tjera fillimi pritet të jetë i ankthshëm, plot me gjysma fakte të cilat do e shtyjnë publikun drejt kuriozitetit për ta ndjekur më tej. Një sms, një telefonatë e përgjuar, një takim i filmuar, një dëshmimtar që mund të flasë, një grua gjysmë lakuriq në një krevat të panjohur me një zë të njohur në sfond që i flet, një dokument zyrtar i pakonfirmuar i cili premton të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve, një tender i dyshimtë, një miniere ari, diamante të fshehur në një qese, një prokuror hero dhe disa të tjerë të përlyer me krimin, një gjykatëse e kompromentuar nga marrëdhënia me të shoqin, një vrasje e përgjakshme… Pyetjet që do na mundojnë janë të zakonshmet. Kush ka të drejtë? Kush kërkon të vrasë kë? Kush qendron mbrapa skenës? A do të ketë drejësi? A do të triumfojë e mira apo e keqja? Kush është e mira e kush është e keqja? Do gozhdohemi përpara ekranit dhe do harrojmë gjithçka tjetër. Gjithçka.
Do harrojmë se po përmbytemi me të dytin shi që bie. Spektakli është më i mirë se Hëna Blu. Do harrojmë se kemi pagat më të ulëta në Euvropë. Do harrojmë edhe se kemi pensionet më të ulëta në Evropë. Drithmat e spektaklit i japin këto efekte. Do harrojmë se femijë dhe pleq vdesin nga i ftohti. Do harrojmë se kemi çmimin më të lartë të energjisë në rajon. Do harrojmë se kemi çmimin më të lartë të naftës në botë, me cilësinë më të ulët. E kujt i duhet makina, spektakli ndiqet ngado. Do harrojmë se të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë në nivele ulëritëse dhe se vetëm fukarenjtë dhe të vegjlit po ndëshkohen ndërsa të medhënjtë vazhdojnë kontrabandën dhe evazionin të qetë. Sepse ata financojnë spektaklin, i cili ka harxhe. Do harrojmë spitalet pa ngrohje dhe pa batanije, pa shërbim e pa mjekë, pa ilaçe e pa serume. Do harrojmë çerdhet, kopshtet e shkollat pa ngrohje e pa dritare ndonjëherë. Fundja le të mbyllen ca kohe sa të mbarojë spektakli. Do harrojmë rrugët me gropa e ato pa sinjalistikë, urat e shembura. Do harrojmë tenderat e vjedhura, shiun e konçesioneve korruptive, inspektorët që shesin shërbimet shtetërore, gjykatësit dhe prokurorët që shesin drejtësi, ministrat xhepa-plotë. Do i harrojmë të gjitha.
Do harrojmë se jemi të papunë, e pa bukë për fëmijët. Le të hanë spektaklin. Do harrojmë se një pjese e mirë e jona ka marrë udhët e pjesa tjetër po pret një mundësi. Do harrojmë se na është vrarë shpresa sepse ndihemi të tradhëtuar nga të gjithë, majtas, djathtas, para dhe mbrapa.
Do harrojmë sepse spektakli është krijuar pikërisht për këtë arsye. Të na bëjë të harrojmë. Të na mbajë të zënë me teori konspirative dhe të na ndezë një dritë të zbehtë shprese në fund të tunelit ku po jetojmë. Shpresë se kur të mbarojë diçka do të ndryshojë, se dikush do të ndëshkohet, se do të ketë drejtësi. Se do të triumfojnë qytetarët. Ka 25 vjet që funksionon. Me të njëjtët aktorë.
Ose të paktën kështu shpresojnë producentët. Se do të sillemi njësoj. Ne mund t’i kënaqim ose t’i befasojmë. Mund t’i ndjekim ose ti injorojmë. Është në dorën tonë. Gjithnjë ka qenë në dorën tonë. Mjafton të çohemi pak nga pozicioni ku jemi ulur tash e 25 vite dhe çdo gjë ndryshon.
Spektakli po fillon, shtrëngohuni ose çohuni!
Burimi: Nisma #Thurje