Britania legalizoi zonën e parë me drita të kuqe
Një skemë pilote në Leeds, që lejon punëtorët e seksit të punojnë në rrugë pa frikën e arrestimit do të vazhdojë për një kohë të papërcaktuar pasi këshilli njoftoi se ka përmirësuar sigurinë e prostitutave dhe e ka bërë më të lehtë për to që të raportojnë krimet.
Skema, e drejtuar nga policia dhe këshilli lokal, lejon prostitutat të punojnë në një “zonë të menaxhuar” midis orës 7 të pasdites deri në orën 7 të mëngjesit.
Vendimi vjen vetëm tre javë pasi një punëtore seksi u vra në Holbeck, një zonë në qendër të qytetit. Inspektori i policisë së West Yorkshire Sam Millar e quajti skemën “të guximshme” dhe novatore.
“Duke kaluar shumë vite në forcat e rendit, të cilat nuk kanë arritur rezultate në thyerjen e ciklit të punës së seksit, donim të bënim diçka të ndryshme që mund të na ndihmonte për të arritur këto rezultate, të jemi të guximshëm dhe të ndërmarrim disa rreziqe.”
Këshilltari Mark Dobson tha se edhe pse skema nuk është një “kurë universale”, ajo ofron një “qasje pragmatike” për këtë çështje.
Këshilli thotë se skema ka përmirësuar marrëdhëniet e komunitetit, sigurinë e punëtorëve të seksit dhe ka lejuar që prostitutat të raportonin incidentet e ngacmimeve pa u ndeshur me kundërpadi.
Policia në këtë zonë nuk do të lëshojë më paralajmërime ose të bëjë arrestime gjatë orarit të punës të përcaktuar në këtë zonë.
Millar tha se prioritet për skemën është që të bënte punën e seksit të sigurtë.
“Detyra jonë është të ruajmë njerëzit dhe kjo vlen kur njerëzit e vënë veten në situata të rrezikshme,” tha ai.
Është emëruar edhe një oficere policie posaçërisht për të trajtuar rastet e punëtorëve seksit dhe për të garantuar sigurinë e tyre.
Megjithatë, skema është kritikuar nga bizneset lokale, të cilët thonë se gjejnë mbeturina droge dhe veprimtari të paligjshme pranë ambienteve të tyre.
Greg Adams, drejtor i produkteve në firmën AB4, tha për MailOnline se ishte “i tronditur” nga skema.
“Unë isha sinqerisht i tronditur,” tha ai. “Për aq sa më intereson, këshilli dhe policia po thyejnë ligjin duke bërë një sy qorr për këtë çështje. Ka pasur shumë incidente. ”
“Njerëzit po kryejnë marrëdhënie seksuale pranë makinave dhe në muret e ndërtesave. Shumë prej tyre janë përdorues të drogës dhe provat e drogës shihen. ”
Këshilli thotë se numri i ankesave që merr në këtë zonë ka rënë që kur u prezantua skema./A.A