Ndalimi i ngacmimit moral, për herë të parë në Kodin e Punës
Në Kodin e ri te Punës do të përfshihet për herë të parë, ngacmimi moral nga ana e punëdhënësit. Ky rekomandim ka ardhur nga ana e Avokatit të Popullit i cili thotë se ky projektligj është bërë sipas standardeve ndërkombëtare dhe në përputhje me Konvetat e ratifikuara nga vendi ynë.
Ndalimi i ngacmimit moral nga ana e punëdhënësit është përfshirë në nenin 32 të projektligjit për Kodin e Punës. Sipas këtij rekomandimi, punëdhënësi ka detyrim të respektojë dhe të mbrojë raportet e punës me punëmarrësin si dhe do të garantojë:
- sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit mendor dhe fizik të punonjësve;
- merr të gjitha masat e nevojshme për të ndaluar ngacmimin moral të kryer prej tij dhe nga punonjësit e tjerë, si dhe afishon dispozitat mbi ngacmimin moral dhe seksual dhe sanksionet përkatëse;
- parandalon çdo qëndrim që cenon dinjitetin e punëmarrësit.
Punëdhënësi ndalohet të ngacmojë punëmarrësit me veprime, të cilat kanë për qëllim ose sjellin si pasojë degradimin e kushteve të punës, në një shkallë të tillë që mund të çojë në cenimin e të drejtave dhe dinjitetit të personit, në dëmtimin e shëndetit të tij fizik ose mendor ose në dëmtimin e të ardhmes së tij profesionale.
/m.g