Takimi në krevat
Posted On 21/12/2015
0
Fatkeqësisht nuk më kujtohet emri i një poeti shqiptar, që në një varg thoshte përafërsisht kështu: “U njohëm në jastëk, e dashur!” Familja e krijuar në këtë mënyrë dje, nuk ishte një votër me ngrohtësi, ku merrej mbështetje, motivim, energji, por ishte sallë gjykate, ku merreshin vendime, që nuk mund të kundërshtoheshin. Ajo familje, nuk ishte familje, por ishte një bashkësi interesash, që për qëllim kishte mbijetesën. Duke mos përjetuar prindërit dashurinë, as fëmijëve nuk u mësohej ajo. Do t’ishte çnjerëzore të pohohet se nuk e kanë ëndërruara ata vet, sepse dashuria lindet si emocion tek njerëzit normal, dhe ata ishin normal, por ata anëtarë të asaj bashkësie interesi, lidhte vetëm dhembshuria dhe përfitimet nga njëri tjetri. Asgjë më shumë. Ata nuk u gëzoheshin dashurive të fëmijëve, e konsideronin kurvëri, ndërsa ndrydhjen e ndjenjave dhe nënshtrimin, quanin burrëri.
Babai nuk duhet të ushtrojë fëmijën me rrahje dhe nënshtrim
Ai që rrahet, nuk mund të duhet. Rrahja përjashton si dashurinë, ashtu edhe empatinë. Rrahja nuk është dashuri dhe nëse po, atëherë edhe rrahja serbe, ishte dashuri. Nëse si prind përdorim metodat e policisë së dikurshme, atëherë nuk bëjmë asnjë dallim cilësor. Rrahja është sadizëm dhe fëmija ka të drejtë të rritet pa dhunë dhe pa nënshtrim. Atij i duhet liria për t’u rritur dhe profilizuar në jetë. Çdo fëmijë lindet me aftësitë e veta dhe duhet motivuar pikërisht aty ku shfaq më shumë interes. I duhen edhe gabimet për të mësuar lirinë. Nëse fëmija nuk gabon, atëherë nuk është fëmijë. Të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, por të tashmen e kemi për detyrë. Jo se nuk duhet rrahur, por edhe dhunimi psikologjik është po aq i dëmshëm për shëndetin psikik të fëmijës, sa edhe rrahja.
Politikanët tanë makiavelistë janë rezultat i një edukate rurale
Se kemi politikanë që na zhgënjejnë vazhdimisht, mund të shpjegohet vetëm me edukatën e keqe që kanë marrë në shtëpi. Duke pasur frikë nga prindërit, fëmija detyrohet të gënjejë. Ai qysh në fëmijëri kupton se gënjeshtra, zgjidh telashe dhe garanton mbijetesën të rehatshme. Aty fëmijë dhe prindër kanë distancë emocionale, sepse njëri shtyp, tjetri është i shtypur. Ky raport familjar mund të përligjej dikur, jo mirëpo sot. Nëse në Perëndim familja lidhet me emocione, me dashuri dhe partnerët edhe me intimitetin, tek ne lidh gjymtyrët familjare varësia, interesi dhe dhembshuria.
Djali nuk mësohej të dashurojë gruan e vet, por ta nënshtrojë atë
Në atë Bashkësi Ekonomike interesash, djali nuk përgatitej dhe nuk mësohej të martohet dhe krijojë familjen, por ai mësohej të shtypte nënën e fëmijëve të vet dhe, prindërit mburreshin nëse ai këtë e bënte në mënyrë sa më efektive dhe sa më rigoroze. Djali edhe pse i martuar, sillej si adoleshent sepse patriarku në shtëpi, dominonte atë edhe pse djali ishte baba. Dominimi ishte i mundur sepse jetohej nën një kulm, ose në një oborr, ku despoti ushtronte pushtetin e vet. E vjetra dominonte të renë. E vjetra pengonte përparimin e rinisë. E vjetra prodhonte kopje të veta. E kaluara sundonte të tashmen dhe natyrisht, në gjendje të tillë, garantohej mosndryshimi dhe prapambetja. Despoti privat, që nuk kuptonte dashurinë, konsideronte për nder të madh krijimin e fisit në një oborr dhe urdhëronte ndërtimin shtëpive pranë njëri tjetrit, për t’u mbrojtur nga një sulm, apo për të përthyer jashtë forcën.
Kontrolli social
Nga Bashkësia Ekonomike, kalohej pra në një lloj kazerme, ku fisi rrethohej me mure dhe ndjente veten të sigurt dhe përpiqej vazhdimisht të parandalojë si lirinë, ashtu dhe dashurinë. Kotrolli ishte gjithëpërfshirës. Dhe, të rritur në një Bashkësi Ekonomike fisnore, që pas nja dy dekadave kalonte në një bashkësi vetëmbrojtëse, në një oborr kazerme, krijonte çrregullime shpirtërore tek fëmijët, sa ata, do ta kenë vështirë përparimin në jetë dhe në shumë raste, kultivonin ndjenjën e viktimës së përhershme. Arsyeja? Ata ishin rritur dhe zhvilluar duke përjetuar atë rol.
Duke menduar se po edukonin, ata traumatizonin fëmijët
Mungesa e dashurisë dhe sinqeritetit në familje, krijon fëmijë me drejtpeshim të çrregulluar. Shpirti i fëmijës mund të krahasohet me një gotë ujë. Sa herë të dridhet, derdhet diçka jashtë. Mund të krahasohet edhe me një fidan të vogël dhe çdo piskamë apo rrahje, është një shtrëngatë që përplasë atë përtokë. Fëmijët nuk edukoheshin aty, por manipuloheshin, u shpërlahej truri. Ata nuk edukoheshin, por zbuteshin, siç zbuten kafshët e egra. Mungesa e asaj dashurie atërore, mosdepërtimi i pedagogjisë nëpër shtëpi, shkakton sëmundje shpirtërore në një popull, qeliza e parë e së cilës është pikërisht familja. Si rezultat, shfaqet një popull i dezintegruar, pa norma dhe pa kohezion të brendshëm.
Zhgënjimi me politikanët rezultat i edukatës rurale, folklorike
Kur familja nuk është e shëndoshë, nuk mund të jetë as tërësia, populli. Është e lehtë të kërkojmë politikanë të sinqertë, jo gënjeshtarë, jo makiavelist, por rrallë herë mund të kemi fatin t’i përjetojmë ata, sepse sjelljet e tyre, tregojnë se ata janë prodhim i një stërvitjeje në një Bashkësi Ekonomike interesash, pastaj kazerme mburravece, ku rrallëherë dikush përparon pse duhet, por për inat të të afërmeve bëhet çdo gjë, nga dasma, deri tek ndërtimi i shtëpisë. Në komunitete të tilla fëmija mësohet të mendojë për vete dhe familjen e vet, asgjë më shumë dhe, sapo të marrin pozita, rehatojnë të afërmit e vet, ashtu si janë shkolluar në shtëpi. Ata duan më shumë gabimet e veta, se të drejtën e fqinjit. Ata duan më shumë veten se të drejtën.
Në familje të tilla, as dasmat nuk janë tubim gostie dhe dashurie. Aty nuk ftohen ata që duhen në mes vete, por dhjetëra ose më shumë që smirohen, sepse ai që martohet, nuk ka ndërmend të përjetojë një hare me të dashuritë e vet, me familjen e vet të ngushtë, por do të ftojë edhe qindra veta, për të treguar fuqinë apo superfuqinë e Bashkësisë Ekonomike dhe kazermës rrethuar me mure, ku shtëpitë janë ndërtuar si kasollet në epokën e paleolitit, në një oborr.
Si kuptohet a jemi prind i mirë?
Se a jemi baba i mirë mund ta kuptojmë sa herë të kthehemi në atë votër nga dolëm për të shkuar në punë. Nëse fëmijët dhe bashkëshortja nuk dalin para apo nuk vrapojnë tek dera të gëzuar, atëherë ai baba, mund të quhet polic, oficer, gardian dhe çfarëdo tjetër, që zbaton metoda të policisë në familje, por jo prind. Ky tip njeriu është autoritar jo pse fëmijët dhe shoqja e meritojnë shtypjen, por sepse ky njeri në rend të parë është frikacak dhe i mungon vetëbesimi, pastaj druan se nuk do të përmbushë pritshmëritë e babait të vet dhe rrethit social. Ky njeri ka frikë të shkëpute nga mosdija dhe nuk pushon së cituari fjalë të urta nga lashtësia, që arsyetojnë sjelljet e tija aberrative. Paterica të tij në jetë nuk janë të arriturat shkencore pedagogjike dhe didaktike, por përtyp si lopa mendime nga e kaluara dhe bazohet në to, për ta rindërtuar rendin, shtresat dhe hierarkinë brenda Bashkësisë së Re Ekonomike.
Ndalimi i mendimit të lirë në shtëpi, prodhon një komb me gatishmëri prej vasali
Ka edhe Bashkësi Ekonomike, ku një punon dhe disa të tjerë duartrokasin. Familje të tilla të pasivizuar janë humbje e madhe për një ekonomi kombëtare. Ata presin dhe rrotullohen nëpër divane që dikush të zbresë nga qielli dhe t’u ofrojë atyre mundësitë për të ecur para, por vet pos konstatimeve se janë viktima, nuk bëjnë më shumë. Nuk kanë mësuar revoltën kundër padrejtësisë as në shtëpi dhe janë zbutur aq shumë, sa me urtësi, durojnë çdo gjë, mjafton të gënjehet mirë, siç është gënjyer dhe manipuluar edhe ai vet derisa ishte fëmijë. Ai nuk është mësuar të gjykojë vet, ai ndjehet i nderuar, kur i ofrojnë një shpjegim dhe nuk lodhet shumë për brendinë, kontekstin.
Gabimet që nuk mund t’u falen prindërve të sotshëm
Prindërit mund të bëjnë tre gabime me të cilët mund të shkatërrojnë, rrënojnë apo ta hedhin nga binarët ardhmërinë e fëmijëve: e para është edukata autoritare, pra nënshtrimi i fëmijëve, e dyta është ndikimi në profesion, e treta është ndikimi në martesë. Nga e para dalëngadalë çlirohet, ndoshta edhe pas disa dekadave tërësisht, nga e dyta do ta ketë vështirë dhe do të ushtrojë një profesion i cili më vonë mund t’i shkaktojë ndonjë sëmundje, nga e treta, mund të pasojë shkurorëzimi ose jetë në një përleshje të përhershme. Prindi nuk guxon të përpiqet të realizojë ëndrrat e veta nëpërmjet fëmijës. Fëmija ka një botë tjetër, një univers tjetër dhe nuk mund të jetë kopje e babait, sepse nuk është lindur vetëm nga ai.
Martesa është e drejtë bazë e njeriut
Njeriu jeton njëherë dhe duhet ta ketë lirinë absolute për të vendosur se me kë dëshiron të krijojë familje: me kë dëshiron të shtrihet në një shtrat, me kë dëshiron të bëjë dashuri. Fëmija nuk mund të luftojë se çfarë edukate duhet të marrë, por duhet të revoltohet, kur zgjedhja i imponohet. Ndikimet e prindërve primitiv çojnë domosdoshmërish në rritjen e divorceve, sepse kur ata qenë martuar, ishte kohë e përrallave dhe legjendave, kur njerëzit njiheshin në krevat, në jastëk dhe pas disa minutave, pasonte seksi. Sot, kjo dukuri, mund të kuptohet tek kafshët, po jo tek njerëzit.
Mosndryshimi nga prindërit, është vendnumërim shoqëror kollektiv
Nëse sot çdo brez nuk ndryshon në edukatë nga prindërit e vet, ajo shoqëri do të jetojë gjithmonë në të kaluarën, por jo në të tashmen. Ajo shoqëri do të ngelet prapa. Shoqëria që nuk respekton të drejtat e fëmijëve, është shoqëri mizore. Shumë familje krijojnë një komb, nga ato familje dalin edhe politikanët. Sjelljet e tyre të përditshme, janë pasqyrë e edukatës marrë në shtëpi, që ata, nga manipulimi i madh, nuk kanë arritur të shkëputen kurrë dhe sot, manipulojnë edhe popullin, ashtu siç janë stërvitur në shtëpi.
Epilog: Marrëzinë më të madhe, që mund të bëjë një prind në këtë kohë, është pezullimi i vullnetit të lirë, të aftësisë juridike djalit apo vajzës së moshës madhore dhe martesa me ndërmjetësime. Me vendim të tillë, prindi shpall invalid mendor fëmijën e vet!/A.A.
burredashuriedukate ruralefamiljafeminizemgruaKontrolli socialmartesepatriarkatpolitikanesadizëmvajze
Trending Now
Deklaratë për Shtyp
30/01/2025