VIDEO/ Dëbimi i Veliajt nga protesta e studentëve; Reagon Lëvizja “Për Universitetin”
Lëvizja për Universitetin ka publikuar në rrjetin social “Youtube” videon e momentit kur studentët përzunë kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë gjatë protestës studentore kundër reformës në arsimin e lartë.
Veliaj është afruar në oborrin e Universitetit Politeknik të Tiranës për të biseduar me studentët, por është përballur me revoltën e tyre dhe me thirrje për tu larguar.
Studentët e cilësojnë kryebashkiakun njëlloj përgjegjës për shkatërrimin e arsimit të lartë publik: “Erion Veliaj ka qenë ministër në kohën kur projektligji për arsimin e lartë është miratuar në qeveri dhe, kësisoj, është njëlloj përgjegjës për shkatërrimin e arsimit të lartë publik si të gjithë anëtarët e qeverisë.”, thuhet në deklaratën e lëvizjes “Për Universitetin”.
Studentët i ka revoltuar edhe shoqërimi i Veliajt nga rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgaq Kaçani, që sipas Lëvizjes ka penguar studentët për të marrë pjesë në protestë.
Në fund të deklaratës, aktivistët e lëvizjes studentore theksojnë se rektori i Universitetit Politeknik dhe Kryebashkiaku janë dëbuar me kore e fërshëllima, por ardhja e tyre e papritur i ka pamundësuar t’i presin me vezë. /l.k/
VIDEO: