Mirëmëngjes nga Tirana e zbukuruar me trupat e pajetë të qenve fatkeqë
Organizata “Animal Rescue Albania” ka publikuar këto pamje, ku duken disa qen rruge të helmuar qëllimisht në rrugët e Tiranës.
Dhe pse është premtuar një zgjidhje e përhershme dhe afatgjatë nga ana e Bashkisë Tiranë, kafshët janë lënë në rrugë të pambrojtura nga aktet çnjerëzore të dhunës dhe zemërimit nga ana e atyre që ndihen të bezdisur prej tyre.
“Jemi të pafjalë! Po helmohen qentë te “Myslym Shyri”. Sërish dora vrastare e dikujt atje veproi. Na ndihmoni nuk mund të vazhdohet kështu. Nëse keni ndonjë informacion mbi atë që mund të ketë bërë këtë gjë na shkruani.
Ju lutemi të gjithë bashke duhet të bëjmë të mundur një ligj ku keqtrajtimi i kafshëve se paku të bëhet vepër penale, që policia mund të veprojë kundër këtyre njerëzve. Eshtë lajmëruar policia dhe bashkia.
Ne jemi shumë pak e ajo që mund të bëjmë ne është shumë pak krahasuar me atë që duhet të bëhet. Njerëz zgjohuni nuk shpëtohen kafshët duke i dhënë një copë bukë, e duke kërkuar ndihmë kur bëhen me buba.
Nëse i doni dhe doni të shpëtoni lëvizni, çojini tek veterineri, vaksinoni STERILIZONI. Ne jemi vetëm 3 veta e s’mund të bëjmë dot më shumë. Pasojat janë këto. Juve që bëni këto akte u përpëlitshi si ky qen.”, thuhet në deklarimin e “Animal Rescue Albania”.
Edhe sot, organizata ka publikuar këto foto, që tregojnë të tjerë qen të helmuar, duke bërë thirrje për ndryshime në Kodin Penal, për ta klasifikuar dhunën ndaj kafshëve si vepër penale.
“Mirëmëngjes nga Tirana e zbukuruar me trupat pajetë të këtyre fatkeqëve që i vetmi faj është se kanë lindur në këtë vend.
Ndoshta tani disa janë më të qetë. Ndoshta janë të lirë të shijojnë atmosferën me disa qen më pak në qytet. Këto janë ato momentet kur gjithçka që bëjmë me shumë mund nuk ka kuptim.
Ky është bilanci i djeshëm. Mbi 6 qen që ne kemi mundur të identifikojmë kane vdekur nga helmimi.
Shqipëria është i vetmi vend ku helmin me të cilin mund të helmosh dhe njerëz mund ta blesh lirshëm në farmaci.
Shqipëria është një vend ku mund të hedhësh helm pa teklif në rrugë për të helmuar një qen pa e vrarë mendjen fare që ai helm mund te jetë rrezik për shëndetin publik për një fëmijë etj.”, thuhet më tej në reagimin e “Animal Rescue Albania”.
/l.k/