Aty ku gratë po vriten nga familjarët
Fenomeni
Çdo vit, rreth 66 000 gra vriten kudo në botë. Një nga vendet me normën më të lartë të dhunës kundrejt grave është Guatemala. Por përse është ky një vend kaq i rrezikshëm për gratë?
“Ne po vritemi nga baballarët, vëllezërit dhe njerkët tanë … ata që supozohet të kujdesen për ne”, thotë Rebeca Lane, një repere feministe në qytetin e Guatemalës.
“Shumë prej nesh duhet të jetojnë me dhunën në heshtje, ndaj kur dikush na godet apo na bërtet, ne mbyllim sytë dhe e kalojmë situatën. U bashkohemi grave të tjera dhe bisedojmë për këtë çështje dhe e dimë se nuk është gjë e mirë, se kjo nuk është normale.”
Kur Lane ishte 15 vjeçe, ajo u përfshi me një burrë më të madh, që jo vetëm e kontrollonte, por ishte gjithashtu abuziv fizikisht dhe seksualisht. “Ai e dinte se çfarë po bënte. Ai po më izolonte nga familja dhe miqtë. E di se çfarë do të thotë të jetosh me dhunë në një moshë të hershme”, thotë ajo. Marrëdhënia zgjati për tre vjet.
Tani ajo e përdor muzikën për të bërë fushatë për të drejtat e grave. “Poezia më shpëtoi jetën. Kur fillova të shkruaja ishte jetësore për rikuperimin tim”, thotë reperja. Kënga e saj e njohur gjerësisht, Mujer Lunar – Grua hënë – është një thirrje me vargje për respekt të trupave të grave, jetëve dhe pavarësisë së tyre.
Ajo mban gjithashtu takime dhe mësime hip-hopi për nënat e reja në qytetin e Guatemalës për t’u mësuar atyre të drejtat dhe si të përballojnë abuzimin me të cilin ajo u has.
Guatemala ka normën e tretë më të lartë të vrasjeve të grave në botë, pas El Salvadorit dhe Xhamajkës. Nga viti 2007 deri në vitin 2012 pati 9.1 vrasje për çdo 100 000 gra, sipas Policisë Kombëtare të Guatemalës. Dhe vitin e shkuar, 846 gra u vranë në një popullatë më pak se 15 milionë njerëz, thotë zyra e Prokurorit të Shtetit.
Duket se arsyeja gjendet tek e shkuara brutale e vendit. Frymëzimi më i madh i Lanes, një aktiviste feministe, ishte halla e saj, emrin e të cilit trashëgoi. Lane nuk e takoi kurrë motrën e babait, por historia e saj ishte një vijë paralele e destabilitetit shoqëror të Guatemalës sot dhe Guatemalës së luftës civile 36-vjeçare.
Halla e vajzës u zhduk në vitin 1981, pasi iu bashkua guerilasve të krahut të majtë teksa luftonte qeverinë ushtarake. Në këtë kohë dolën fjalë për përdhunimin, torturën dhe vrasjen e dhjetëra mijëra grave dhe vajzave – shumica nga komunitetet Maja që ishin akuzuar për mbështetje të kryengritësve.
Më shumë se një dekadë më pas, një raport i sponsorizuar i OKB-së, tha se ky abuzim ishte i përgjithshëm dhe sistematik – vlerësohej se 25 për qind ose 50 000 nga viktimat e luftës së Guatemalës ishin gra.
“Dhuna seksuale ishte në nivele shumë të larta dhe u përdor si një mjet lufte”, thotë Helen Mack, nga një OJF vendase. “Stereotipi ishte që gratë përdoreshin për seks dhe shiheshin si një objekt për t’i shërbyer familjes dhe kjo gjë vazhdon edhe sot”, shton ajo.
Motra e Mack vdiq pasi u qëllua me thikë në rrugë nga një skuadër vdekjeje në vitin 1990. Ajo kishte ekspozuar dhunën fizike dhe seksuale të ushtrisë kundër komuniteteve maja.
Gjatë konfliktit, një ushtri me rreth 40 000 burra dhe një forcë civile mbrojtjeje prej rreth një milion personash u trajnuan të kryenin akte dhune ndaj grave. Kur lufta përfundoi, këta burra u kthyen në shtëpi, por nuk e harruan zakonin.
Besohet se ata e vazhduan dhunën ndaj grave, motrave dhe të dashurave të tyre. Një kulturë dhune ndaj grave dhe një pandëshkueshmëri, që ende vazhdon edhe sot.
“Këtë javë morëm një telefonatë nga një grua. Bashkëshorti i saj i kishte hipur sipër me makinë disa herë që të sigurohej se kishte vdekur”, thotë Mack.
Ajo mbijetoi dhe u soll në qytetin e Guatemalës, ku po trajtohet për plagët. Por bashkëshorti i saj nuk heq dorë lehtë – ai i çoi të atin për ta kërcënuar që të mos e raportonte sulmin te gjykata.
Sipas eksperiencës së Mack, është e zakonshme që gratë të kërcënohen kështu ose edhe të vriten nga sulmuesit e tyre. Dhuna ndaj grave është ende një çështje e brendshme, thotë ajo, pavarësisht ligjeve të reja kundër vrasjes së grave. Në vitin 2008, Guatemala u bë vendi i parë që njeh femër-vrasjen, vrasjen e një gruaje thjesht prej gjinisë, si një krim.
“Ndryshimi në Guatemalë mes vrasjes së një gruaje dhe një burri është se gruaja duhet të vuajë përpara se të vdesë, ajo përdhunohet dhe torturohet”, thotë prokurorja e përgjithshme, Thelma Aldana.
Aldana po përpiqet të ndryshojë sjelljet ndaj viktimave që shpesh fajësohen për abuzimin që marrin. “Disa vite më parë, policia dhe hetuesit mbërrinin në një skenë krimi dhe thoshin: ‘Shikojeni si është veshur, prandaj e kanë vrarë, ajo e ka kërkuar vetë’”.
Në vitin 2011, kur Aldana ishte presidente e Gjykatës së Lartë, krijoi një rrjet të specializuar tribunal në Guatemalë për të trajtuar rastet e vrasjes së femrave.
“Sistemi i drejtësisë mund të bëjë shumë për të ndryshuar kulturën”, thotë ajo.
Tani gratë e Guatemalës janë më të ndërgjegjshme për raportimin e dhunës, ato gjithashtu kanë më shumë besim për ndëshkimin e agresorëve të tyre. Rastet që po gjykohen janë shtuar, por fenomeni është ende larg nga zhdukja …/A.A.