Salihu: Dy observime mbi atë çka gratë sjellin
Gitarja e gladiatorit vs djali venerë
Nëse je muzikant, edhe je rritë me rock’n’roll, gjasat janë që ke qenë në rrezik m’e nxanë nji edukatë maskuliniste, apo androcentrike, apo thanë ma troç, seksiste. Pëveç që ka qenë, dhe hala deri diku vazhdon të jetë, fushë e dominueme nga burrat, rock’n’roll-i asht nji prej dukunive kyçe kulturore në shek. XX që kanë ndihmu m’e përgatitë variantin e ri të patriarkalizmit, atë që do të përshtatej me konsensuset e reja liberale perëndimore. Rockerët, të ndikuem prej delta blues-it – variant i blues-it që u zhvillu në rajonin e deltës së lumit Mississipi në SHBA dhe që ishte i dominuem prej burrave afro-amerikanë me gitare – e zhvilluen mitologjinë e rock muzikantit të bardhë modern, e cila arriti me sukses t’i shpërfaqte të gjitha tiparet klasike të luftëtarit epik, të Akilit të kohës sonë, me krejt stereotipet maskuliniste të nji tip gladiatori, t’u e përfshi edhe simbolin fallik – shpatën – në trajtën tërheqëse të gitares elektrike. Gratë, apo ‘femnat’, në rastin ma të mirë ishin thjesht kangëtare – bukuroshe ose tragjike, ose të dyjat – e në rastin ma të zakonshëm fanse që e rrethojnë yllin rocker si nji harem mobil në rrugëtimin e tij për ta pushtu botën, dhe që i përgjigjen me dëshirë secilës thirrje të tij për shërbime seksuale. Në zhargonin e rock’n’roll-it këto njihen si ‘groupies’. Ku ishin zanet autoriale femnore? Paj, lufta e gladiatorëve asht lojë fëmish në krahasim me botën represive të cilës ato u detyruen me i thanë ‘shtëpi’. Rruga e tyne ishte e errët.
Dhe përnjiherë, apo në kohën e vet, vjen PJ Harvey, Bjork, Tori Amos. Këto, dhe nji rrebesh grash të forta, të çlirueme, që i këndojnë jetës së tyne prej krahnorit të tyne. Ti, 12 vjeç, e tashma veç i dashunuem në Kurt Cobain-in dhe luftën që ai ia shpalli rock-perëndive fallike, e ndigjon Human Behaviour të Bjork dhe, hala pa ditë mirë me ndi fjalë, e ndienë fuqinë që kjo gru e ka zbulu në vete dhe që e shpalos jo vetëm pa marre, po pa agresion dhe ndjenjë hakmarrjeje, me nji natyralitet të frikshëm që të ban m’e adhuru. Në zanin e saj autorial ka nji autonomi çfare nuk jemi mësu ta shohim as te artistët ma eminentë burra, sepse bota të cilën ajo e shpalos, në aspektin përmbajtjesor, ka pak të bajë me kanonin tand, mbështetet pak e hiç për gardhin e gjatë të traditës së artit perëndimor. Kjo këndon prej nji universi që për sytë tanë ka qenë gjithmonë nji kand i errët, me siguri dikah skaj kuzhinës, pa shpata, pa tigra, pa goupies, pa Trojën: ‘He believes in beauty / He’s venus as a boy’ – ajo madje e prapton komplet mitologjinë e seksit si veti e grues, por pronë e burrit, ama me nji lehtësi të natyrshme, thue se gjithmonë ka qenë kështu: ‘His wicked sense of humour / Suggests exciting sex’ – krejt bythëprap’, pra! E si burrë, kjo mënyrë e trajtimit seksual më asht përshtatë shumë ma shumë se ajo që të kërkon të jesh patron. Çfarë feste!
E ku mos m’e adhuru nji gru që, mbas mileniumesh të shtypjes së sojit të vet, asht në gjendje me u ngritë mbi kulturën patriarkale dhe m’e projektu nji kandvështrim krejt të pakontaminuem, të pastër si lot, dhe tejet të vetin, tejet femnor, skandinav, artistik, muzikal, gjenial! Nëse në nji kohë ke mujtë me kalu si burrë me deklarata sipërfaqësore si ‘nuk i kuptoj femnat’, tash ky argument trivializohet. Pse? Sepse gratë e kanë çliru zanin dhe kanë mbërri, me punën dhe përkushtimin e tyne, jo vetëm me i falë gladiatorët për lojën e tyne agresive, po edhe me ba pak hajgare me ta. ‘But, oh, to get involved in the exchange of human emotions / Is ever so ever so satisfying…’ Bjork menjiherë e shënon botën si të sajën dhe ndihet e thirrun jo vetëm m’e gjyku, por edhe me marrë pjesë në të si e lirë. Kjo, fatkeqsisht, vazhdon me i tmerru shumë burra nëpër botë. Kanë fillu m’e ‘kuptu’ gruen dhe kjo i ka shastisë mirë.
Sundimi vs udhëheqja
Tue ardhë prej nji shoqnie patriarkale, por i rritun në nji familje mjaftueshëm të moderueme dhe të edukueme sa me akomodu për zhvillim pak ma të natyrshëm, pa censura dhe mistifikime, pa fe dhe nacionalizëm, me libra dhe muzikë emancipuese (nuk janë, fundja, krejt rockerat gladiatorë – shyqyr ata ma të randësishmit, The Beatles, ishin zana të malit ma shumë se kreshnikë luftëtarë), e kam pasë të mundshme m’e ba nji dallim, sa për veten time, mes metodës mashkullore dhe femnore. Kam vërejtë se, kur burri sundon, forca, pra dhuna, asht gurthemeli i pushtetit. Burri asht i shpallun mbret qysh para lindjes dhe kjo i jep atij hapsinë që të lazdrohet pa fund. Për shembull, jam i bindun se korrupsioni si dukuni e ka rrajën te pushteti mashkullor. Informaliteti ndodh atëherë kur dy palë ndihen që kanë diçka të shenjtë të përbashkët, që e tejkalon ligjin dhe sistemin, siç mund të jetë lidhja familiare, për shembull. Në rastin e burrave, ata kur bahen joformalë në kontekst zyrtar, çka në të vërtetë janë tue ba asht tue u sjellë si dy mbretën të dehun. Përbuzja që burri tradicionalisht e tregon ndaj rregullit dhe rendit nuk mundet me qenë gja tjetër veçse devijim, si pasojë e nji ndjenje të thellë superioriteti të garantueme prej djepit të shenjtë të djalit.
Gratë, në anën tjetër, kur udhëheqin, kam observu se e kanë tendencën me themelu sistem ma horizontal. Negocimi asht nxitësi elementar i zhvillimit, në vend se nënshtrimi të jetë garantues i pushtetit. Harmonia asht parakushti kryesor i punës së mirë, në vend se hierarkia e establishueme mirë të jetë kusht për punë. Gratë ia dalin lehtë se nuk e kanë të instaluem aplikacionin mbretnor – ato nuk krijojnë marrëdhanie të kota joformale me nënpunësit dhe e kanë të natyrshme gjithpërfshimjen. Në këto kushte, hierarkia merr trajtën e nji dukunie natyrale, në vend se të jetë konstrukt politiko-shoqnor. Pra grueja udhëheq, nuk sundon. Kjo punë më asht kthjellë përfundimisht kur mora pjesë si trajner në emisionin The Voice of Albania, i cili asht i udhëhequn prej grave, d. m. th. shumica e pozitave kyçe, tu’ e përfshi edhe atë të producentes kryesore, mbahen prej grave. Ka qenë nji përvojë tepër e lehtë, shumë e kënaqshme, pa tensionet e zakonshme që dy a ma shumë koka me brina dinë me i sjellë në kope. A kishte informalitet? Sa të duesh – jemi kënaqë tue keshë e tue festu në secilin hap, secili asht ndi mbret, secili asht ndi i respektuem dhe i vlefshëm. Dhe krejt kanë punu me zemër.
Tue ardhë kah fundi i këtij shkrimi, po du me ju kërku falje krejt feministëve dhe feministeve të angazhueme dhe të mësueme që e lavrojnë fushën e vështirë të gjinive përditë dhe që në mendimet e mia të improvizueme mujnë me gjetë probleme akademike, etike apo thjesht logjike. Poashtu, më vjen keq që përvoja ime e kufizueme nuk më lejon me marrë shembull ma të dinjitetshëm se ai i rock’n’roll-it, se e di që ka fusha në të cilat argumenti për barazinë gjinore mundet me u ba që të jetë edhe ma prekës e bindës, edhe ma i fortë. Përderisa jam feminist, dhe kjo nuk lëviz; nuk jam aktivist i çashtjes gjinore dhe kam pak mbrapavi intelektuale në këtë. Thjesht jam rritë tu’ e mbrojtë nanën prej vjehrrës së vet, – si secili prej nesh, – dhe e kam pasë fatin që kjo traumë mos me më shëndrru në sadist. Këtu, në familjen time dhe në qytetin tim, i kam mësu hjekat e grave dhe shkaqet e tyne, dhe kam deshtë që urgjentisht të çkapem prej asaj valle. Shyqyr, çashtja gjinore po përparon, dhe sot nuk i shohim ma veç dy gjini – të paktën jo politikisht. Sot asht me randësi që përkrahja jonë, e neve që kemi lindë ‘mbretën’, të shtrihet ma gjanë deri te njerëzit që i përkasin LGBT, dhe të mos kemi frikë kur të shohim se këtij akronimi i shtohen shkronjat. Përkundrazi, përkrahja jonë veç sa duhet të rritet. Pa përfshimje të plotë gjinore – ama të plotë – nuk ka mundësi të ketë as paqe mes njerëzve. Lufta që e bajmë për territor, për zaptim, për zgjanim, e ka rrajën në shtëpi. Në shtrat. A thu, ndoshta asht koha që gladiatori ta ndërrojë simbolin fallik thjesht me nji fallus?/A.A.