Komuniteti rom dhe egjiptian, 5600 firma për të kërkuar strehim
Aktivistët rom dhe egjiptian i kanë dorëzuar Parlamentit, një peticion me 5600 firma të qytetarëve duke kërkuar që deputetët të marrin seriozisht shqetësimet e tyre.
Sipas aktivistëve, në projekt buxhetin për vitin 2016, fondet për strehimin social janë shumë të vogla. Gjithashtu ata thonë se për vitin e ardhshëm, nuk parashikohet asnjë buxhet për ndërtimin e banesave sociale si e vetmja alternativë për familjet e varfëra e të pa streha.
Duke iu referuar numrit të familjeve që kanë aplikuar për strehim social, të cilat janë rreth 35 mijë familje, aktivistët rom dhe egjiptian thonë se ulja e buxhetit për strehim do ta përkeqësojë gjendjen e tyre.
“Nga 35 mijë aplikime, në 10 vitet e fundit kanë përfituar vetëm 5 mijë familje. Projekt buxheti i vitit 2016 që është duke u diskutuar në Parlament planifikon që ato pak fonde të parashikuara të shkojnë me shumicë për “Planifikimin Urban”. Fondet e mbetura për strehimin financojnë në pjesën dërrmuese programin e “Kredisë së Lehtësuar” i cili nuk i shërben familjeve të varfëra pasi ato nuk plotësojnë kushtet për të marr një kredi nga banka”.
Aktivistët i kërkojnë deputetëve të reflektojnë dhe të veprojnë duke e rishikuar zërin e buxhetit për strehimin social me qëllim dyfishimin e tij. /m.g