Nëntori, muaji i protestave dhe “rilindja” e vërtetë e shtetit modern shqiptar
Nga Eduard Alia
Rrethi vicioz, Demokracia liberale, korrupsioni dhe e ardhmja
Çdo komb e ka një periudhë te artë në historinë e vet. Për ne shqiptarët nuk ka patur kurrë një periudhë më të arte në historinë tonë sesa sot. Shqiptarët pas disa shekujsh brenda një perandorie “të sëmurë” që ishte ajo osmane, patën po ashtu një shekull tjetër te pafat ku përjetuan copëtimin, disa pushtime e pastaj disa qeveri te falimentuara e përfundimisht diktaturën – si shumë shtete ballkanike.
Shqipëria që prej 25 vitesh është një vend i lirë. Duke marrë parasysh që tashmë edhe Kosova është shtet i pavarur mund të themi pa hezitim që kjo është periudha ku shqiptarët kanë “mbretërinë” më të madhe që kanë përjetuar ndonjëherë apo “periudhën e artë”. Fakt: jemi më të pasur, me te ushqyer, me te shëtitur e më të edukuar sot se sa kemi qenë prej shumë shekujsh.
Por edhe pse më të pasur se kurrë, fatkeqësisht Shqipëria ngelet një ndër vendet me te prapambetura të Europës. Shteti shqiptar si në Shqipëri (e po ashtu edhe në Kosovë), jep shenja të një shoqërie të falimentuar. Shqiptarët po votojnë çdo ditë e më shumë si thonë anglezët “me këmbë” duke ikur nga Shqipëria. Arsyet janë të gjitha te ditura tashmë – nuk ka punë, nuk ka shpresë, ka vetëm korrupsion, politika ka ngecur. Përfundimisht shqiptarët në pikun më të lartë që kanë arritur ndonjëherë dalin fatkeqësisht me të palumtur se kurrë.
Si pasojë shumë po ikin, të tjerë këto ditë nëntori dalin e protestojnë kundër këtij sistemi jo-funksional.
E pare objektivisht, kemi rene ne një gracke, një rreth vicioz: nuk luftojmë dot korrupsionin se nuk kemi drejtësi, nuk bëjmë dot drejtësinë se kemi korrupsion. Po kështu me reformat ekonomike, etj. E vetmja shprese, e vetmja drite ne fund te tunelit janë këto protesta e aktivizma te vogla e qe ne si shoqëri duhet ti mbështesim gjerësisht e biles me pro-aktivitet.
Sistemi politik jo-funksional dhe mungesa e drejtësisë
Flitet shumë kohët e fundit për një “paria” politike që është instaluar në Shqipëri. Kjo pari thuhet që përfshin jo vetëm qeverinë po edhe partitë e tjera kryesore, media, organizatat jo-qeveritare dhe biles edhe institucione si universitetet shtetërore.
Dhe siç thotë një fjale e urte: “Fshati qe duket nuk do kallauz”. Nuk është e vështirë të shohësh këtë tezë në veprim: qartazi rotacioni politik (ose ndryshimi i qeverive) ka sjellë shume pak ndryshim. Dhe vërtet klasa politike nuk ka një orientim të mirëfillte politik, këto vitet e fundit të gjithë po bindemi çdo ditë e më shumë se partitë janë vetëm klane e grupime që luftojnë për pushtet apo “për karrige” dhe ndryshimi i prej njërës tek tjetra do të thotë vetëm që ata që mbushin xhepat kanë ndryshuar. Që do të thotë se shumë shpejt një klan tjetër i uritur mbase zë atë vend.
Ne këtë sistem jo-funksional nuk mund të flasësh për reforma ekonomike te mirëfillta – çdo akt apo hap që merret bëhet ne lidhje me pushtetin. Në rast se ka ndonjë reformë ekonomike, bëhet fjalë për ndonjë stimul të vogël që ka shumë pak ndikim po që bën më shumë zhurmë.
Ne anën tjetër opozita ne Shqipëri nuk luan rolin e mirëfilltë që duhet të luajë një opozitë në një demokraci liberale, është thjesht ana e tjetër e të njëjtës monedhë si pushteti – vetëm se pa pushtet. E vetmja gjë që ndryshon është se herë shfaqet më e fuqishme (e paralizon gjithçka) herë është e paaftë për tu dëgjuar.
Grupimet partiake kanë edhe një tjetër të përbashkët: janë aq shumë populiste sa që nuk merret vesh se cila prej tyre është në cilin kah politik – nganjëherë duket që Partia Demokratike është më e majtë se vetë Partia Socialiste dhe anasjelltas. Kjo rrjedh nga fakti që partitë nuk kanë një program bazë me një linjë të ngurtë (që duhet të ndryshojë sipas kushteve politike apo ekonomike të jashtme te krijuara me kalimin e kohës) të thurur me parime njerëzore, por dredhin në bazë të interesit duke krijuar kushte te papërshtatshme për një pluralizëm të mirëfilltë, dhe mbajtjen e një vendqëndrimi të tipit: “Guri i rëndë peshon në vend të vet”.
Qartazi një alternative e mirëfilltë e djathtë apo e majtë mungon nga “menuja” ne ditën e votës. Votuesit domosdo zgjedhin mes 2-3 alternativave pa një pritshmëri te majte apo te djathtë, gjë qe dëmton besimin ne politike e përfundimisht shpresën se do behet me mire.
Shume ligje e te drejta ekzistojnë ne letër, qe ti kërkosh ato te drejta përplasesh me sistemin e drejtësisë qe sikur i jep jete përshkrimeve te Kafkes ne librin “Procesi”.
Prej shumë kohësh flitet për një reformë në drejtësi, prapë bëhet shumë zhurmë por një prej organeve kryesore të vendit ngelet në gjendje lëngimi, i paaftë për të bërë punën e vet ndërkohë që ju hap rrugën dy organeve të tjera – ekzekutivit (aktualisht i personifikuar nga një qeveri “e plotfuqishme”) dhe një parlamenti qesharak për të bërë siç dëshirojnë.
Reforma në drejtësi është vetëm fillimi i reformave që duhen ndërmarrë, pra është edhe themeli mbi të cilin duhet të ndërtohet e gjithë kështjella e reformave dhe pa të cilin nuk do të shkojë përpara ky proces jetësor për një demokraci të lirë, një qeverisje të mirë e të zhdërvjelltë si dhe në ndjeshmërinë e qytetarëve ndaj pushtetit në përgjithësi.
Po ndërkohë drejtësia nuk ndërtohet me bark bosh dhe këtu kthehemi edhe njëherë te rrethi vicioz – për te dale prej grackës duhet punuar ne dy fronte. Krahas drejtësisë duhet njëkohësisht edhe reforme e thelle ekonomike.
Hapa marramendës duhet të merren ne fushën e ekonomisë në nxitjen e prodhimit te brendshëm, ne rregullimin e çmimeve, kujdesin për vlerën e lekut karshi monedhave te huaja. Kur këto dy reforma të jenë të siguruara duhet që të përqendrohet me urgjencën më të madhe ne atë te mjekësisë, pastaj arsimi, etj.
Që këto reforma të japin rezultat qe duam duhet të shqyrtohen dhe të programohen më së miri së bashku me impaktin e tyre afatshkurtër dhe afatgjatë. Dhe që kështjella e reformave dhe qeverisja e mirë e vendit të qëndrojë në këmbë fjala kyçe është “meritokraci” dhe jo shpërblimi i mercenareve politike apo ryshfetet për të zënë poste publike.
Çfarë bëjnë shqiptarët ndërkohë?
Shqiptarët përveç atyre që ikin, më së shumti ankohen me njëri-tjetrin nëpër kafe. Ankohemi, qahemi e shfryjmë inatin neper rrjete sociale – sidomos ne qe jemi emigrante (dhe jemi jo pak por 1/3 e shqiptareve qe jetojmë neper bote!). Ndonjë i rralle shkruan ndonjë artikull plot pezm, me terma te “kobshëm”, qahet e shfryn vrer për “ezilin” e vete-imponuar për arsye ekonomike. Zgjedhje praktike ofrohen shume pak. Te gjithë presim qe ndryshimet te bëhen po ato nuk bëhen vetiu.
Nëpër Shqipëri mëson se filan rrugë ishte projektuar e miratuar në buxhet për 4 korsi po vetëm dy (e të ngushta!) janë ndërtuar. Një tjetër projekt duhej përfunduar që prej katër vitesh po ja që “dikush” shpenzoi fondin kështu që nuk u bë ndonjëherë. Dëgjon për filan intelektual me 40 vite punë që del në pension dhe i jepet pension minimal (që sado i lartë të jetë nuk mjafton as për bukë goje). Njerëz arrestohen për pagesa të faturave të energjisë.
Dhe të gjithë kolektivisht i vuajmë pasojat në një vend që ngjan më shumë një shteti në lindjen e mesme apo në Amerikën e Jugut se sa me ato te Europës për ku i kemi drejtuar sytë. Kolektivisht i qahemi njëri-tjetrit për të gjitha fatkeqësitë që na kanë rënë por më shume nuk bëjmë.
Kur i pyet shqiptarët nëse janë ankuar kund, të përgjigjen duke ngritur supet “Nuk ke ku ankohesh”.
Nuk është aspak e vërtetë që nuk ke ku të ankohesh. Siç thamë me lart: shqiptaret kurrë nuk kane qene me te lire se sot. Si qytetar i një demokracie liberale është detyra e jote të ankohesh kolektivisht dhe/ose të sjellësh para drejtësisë ata që të mohojnë te drejtat.
Tani nga njëra anë kjo gjë do të ishte shumë e lehtë sikur të kishim një drejtësi funksionale. Nuk e kemi. Prandaj duhet të protestojmë kolektivisht te paktën kundrejt akteve ekzekutive qe na e bëjnë jetën të padurueshme ne atë vend aq të bukur. Mjaft me ankesa njeri-tjetrit e vuajtje kolektive – ka ardhur koha te bëjmë ankesën diçka kolektive e te vejmë para përgjegjësisë atë të cilët i kemi zgjedhur të na shërbejnë reformat e ndryshimin qe duam.
“Shqipëtar mos rri po duku, shqipëtar”
Këto ditë nëntori një lëvizje e vogël e quajtur Nisma Thurje organizoi disa protesta kundër masave te rrepta që qeveria ka ndërmarre këto kohet e fundit mbi tatimet. Të gjithë kemi dëgjuar histori nga me shqetësueset – njerëz që arrestohen për mungesën e dhënies së kuponëve tatimore, taksa e gjoba që janë kaq jo-proporcionale e te papërputhshme me ligjin apo me aktin e kryer që të kujtojnë diktaturën komuniste kur njerëzit arrestoheshin për një fjalë goje.
Ka patur lëvizje të ngjashme në të kaluarën si p.sh. lëvizja Mjaft!, por që gjithë puna e mire e këtyre devijoi drejt vetë politikës së cilës vetë Mjaft! duhej ti hapte hulli. Gjë që fatkeqësisht i ka dhënë shoqërisë civile një hap mbrapa duke krijuar një tjetër zhgënjim.
Para 6 vitesh një ankese qytetare ne Gjykatën Kushtetuese anuloi një marrëveshje te qeverise mbi kufirin detar me Greqinë – akt qe u përshëndet ne mbare opinionin publik.
Suksese janë korrur – prapë, në nëntor para dy vjetësh, kur u bënë protesta te fuqishme kundër aferës së armëve kimike ku shqiptarët panë rezultate të vërteta. Vlen për tu përmendur se kjo ishte pa ndihmën e opozitës.
Nisma Thurje në vetvete, një lëvizje qytetare mjaft alternative përdor mediat sociale për të sjellur aktivistë së bashku – politikën nuk e sheh si armikun dhe bën thirrje që të gjithë të kërkojnë të drejtat e tyre; pushtetarët janë shërbyesit tanë civile e jo aristokratë që jetojnë në kurrizin tonë.
Thurje kanë arritur të organizojnë protesta te vogla por me rezultate siç ishte p.sh. organizimi i rreth 2 mijë protestuesve nga bizneset e vogla që kundërshtojnë masat e rrepta përballë kryeministrisë ditët e para te këtij nëntori. Dhe vetëm një javë më vonë qeveria u përgjigj pozitivisht duke tërhequr taksat për biznesin e vogël e duke premtuar tërheqjen e tatimoreve nga janari 2016 edhe pse Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehu dyshimet e veta.
Urdhëro, një shembull shume i mire i një hapi përpara për te dale nga rrethi vicioz. Nuk ka dyshim qe duhet te angazhohemi vete ne një mënyrë te tille qe të shtyjmë reformat e duhura ne drejtësi e ekonomi. Kjo vërtet është një pune e qeverise, po le të jemi të qartë që qeveria pa shtytjen tonë si qytetarë nuk bën asgjë. Prandaj ne duhet që të protestojmë – qofte ne shesh apo ne rrjete sociale, qe te gjithë te bëhemi aktiviste e ti vejmë shpatullat shtetit e shoqërisë tone ne mënyrë qe te lejmë pas ezilin e vete-imponuar ekonomik.
Ta kthejmë dhimbjen ne forcë
Shumë prej problemeve tona do të ishin zgjedhur nëpërmes një prokurori te pavarur të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli – kjo do te shmangte shume nga problemet që krijon një parlament gjysmë-kriminal që mban sipër një ekzekutiv të egër e njëkohësisht te paaftë e që vetëm ndjek vetëm interesat e veta.
Nuk ka dyshim që krijimi i një institucioni të prokurorit të pavarur i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli do ishte një katalizator për vënien para përgjegjësisë të atyre që duhet.
Një tjetër mënyrë për të kthyer dhimbjen në forcë do të ishte angazhimi më aktiv i diasporës së Shqipërisë. Tashmë rralle herë flitet për shqiptarë “emigrante”. Shumica e shqiptareve që jetojnë jashtë vendit janë tashmë të stabilizuar dhe gradualisht kanë krijuar komunitetet e veta në vendet ku jetojnë. Sa më shumë që kalon koha, ky komunitet mendon më pak për Shqipërinë, nje vend fatkeq që pak kuptohet tashmë prej tyre, me problematikat e pafundme te të cilit diaspora shqiptare (veçanërisht brezi i ri që rritet jashtë) gradualisht po heq dorë.
Kjo është për të ardhur keq se dihet që diaspora e re përbëhet kryesisht nga ajo pjesë e popullsisë aktive që përbën shtyllën kurrizore të vendit. Emigrantët apo diaspora kanë qenë dhe janë një nga kontribuuesit kryesore të ekonomisë në Shqipëri – qoftë kjo nëpërmes remitancave apo nëpërmes kontributit si “turiste” që (së bashku me shqiptaret e Kosovës e Maqedonisë) mbajnë bregdetin shqiptar në punë gjatë verës.
Po si mund te kthehet kjo pikë e dobët në një aset? Një mënyrë për të angazhuar aktivisht diasporën do të ishte një dialog i rregullt me diasporën i menaxhuar nga vetë qeveria – si dhe investim ne forume biznesi e shkolla shqipe në shtetet ku jetojnë komunitete të mëdha. Një tjetër do të ishte angazhimi për votën e diasporës e cila do të nxiste angazhimin e vetë kësaj pjese “dormante” apo jo-aktive në aspektin social-kulturor përveç asaj politike e ekonomike.
“Ri-angazhimi” i diasporës është një domosdoshmëri për të ardhmen e Shqipërisë. Shqipëria duhet ta ri-tërheqë gjithë humbjen e trurit, por edhe te përfitojë nga përvoja e diasporës në shtete si ShBA apo të Europës perëndimore, vende drejt te cilave Shqipëria i ka drejtuar sytë prej kohësh.
Sytë nga Rumania
Rilindja shqiptare i ka rrënjët në Rumani – që aty Naum Veqilharxhi e shume patriotë të tjerë të frymëzuar nga revolucioni i vitit 1821 formuluan alfabetin e parë shqip e bënë shumë lëvizje që “ri-zgjuan” edhe kombin shqiptar.
Po vërtet çfarë frymëzimi mund të marrim sot nga Rumania? Vetëm pak javë më parë një revolucion i vogël por i rëndësishëm ndodhi në Rumani: një shoqëri civile e Rumanisë detyroi një qeveri te korruptuar e të paaftë të japë dorëheqjen. Të shtyrë nga vdekja tragjike e 48 personave brenda një klubi nate që nxori në pah mungesën e përgjegjësisë, paaftësinë dhe korrupsionin e pushtetit, rumunët demonstruan në të njëjtin shesh ku u bënë demonstrimet kundër komunizmit nën sloganin “korrupsioni vret”. Këto u përshkruan si protestat me te mëdha ne Rumani qe prej atyre qe rrezuan komunizmin. Disa pankarta lexonin “Ne 1989 luftuam për liri, sot luftojmë për drejtësi”.
Rumania ka një sistem politik jo-funksional që vështirë të pohosh se është më i mirë se ai që kemi në Shqipëri. Po ashtu, sistemi i drejtësisë në Rumani ngelet shumë rezistent ndaj reformës. Mirëpo që nga 2003 Rumania ka një prokuror të pavarur i cili, në kombinim me një shoqëri civile të angazhuar, ka arritur (sipas The Economist) të vejë para përgjegjësisë qindra zyrtarë të lartë, përfshirë 5 deputete, 24 kryetarë bashkije, dy ish-ministra, një ish-kryeministër dhe mijëra te tjerë. Ndonëse edhe Rumunët kanë punë të madhe për të bërë përpara, progresi i shoqërisë civile ne kombinim me prokurorin e pavarur ngelen dy shembuj prej të cilave mund të mësojmë në luftën tonë shqiptare për drejtësi.
Vlen të përmendet që edhe me diasporë krahasisht shumë më të vogël në numër se Shqipëria, Rumania garanton të drejtën e votës shtetasve rumune kudo jetojnë nëpër botë.
Sytë edhe nga vëllezërit e Kosovës
Edhe nga Kosova kemi çfarë të mësojmë për sa i përket përgjegjësisë kolektive e shoqërisë civile të organizuar që është mjaft më e organizuar se sa në Shqipëri. Po ashtu nga Kosova mund te mësojmë për të drejtën e votës së diasporës – Kosova madje ka një ministri të tërë të dedikuar ndaj marrëdhënieve me diasporën.
Ri-lindja moderne shqiptare: në këto ditë nëntori të jemi të bashkuar për të ndërtuar shtetin tonë të së drejtës
Shqiptarët gjithmonë janë bashkuar më së miri kundra një rreziku që vjen nga jashtë – edhe në aspektin e shoqërisë civile. Mjafton të kujtosh lëvizjen kundër aferës së armëve kimike nëntorin e dy viteve më parë. Po kur vjen puna për të kërkuar te drejtat e tyre “shqiptar vs. shqiptar”, domethënë, te drejtat e tyre para shtetit që de jure shqiptaret vete zgjedhin e menaxhojnë se si ndihemi te dorëzuar.
Ka ardhur koha që kjo gjë të ndryshojë. Le të shpresojmë që lëvizjet e sukseset e këtij nëntori të korrura nga shoqëria civile të shërbejnë si një shembull i mire e të bëhen në frymëzim i ri për nëntore që vijnë.
Se fundmi, nëntori kujtohet në memorien tonë kombëtare si një muaj revolucionar. Dihet që është e vështirë të krijosh institucione në vende që nuk i njohin ato dhe aq më e vështirë është të krijosh shoqëri civile apo një sens përgjegjësie kolektive në një shtet që vetëm para dy dekadash ishte në një diktaturë totalitare që pak kund është provuar më parë.
Ama sot jemi me te lire e me te pasur se kurrë. Dhe duhet te ndërgjegjësohemi si shoqëri qe vetëm se bashku me një shoqëri civile, aktive e te forte mund të krijojmë një shtet funksional e një shoqëri të drejtë. Mbase partneret ndërkombëtarë na nxisin ne mënyra te ndryshme ne ketë drejtim. Por një presion nga jashtë ne sensin e aferës se armeve kimike nuk do na e japë kush persa i përket ndertimit te nje shteti funksional e te se drejtës – e ardhmja e shqiptarëve ne ketë drejtim është vetëm në duart tona. Ngelet vetëm që të kërkojmë te drejtat tona kolektivisht e në një mënyrë më pro-aktive.
Përgjatë këtij nëntori, këtij muaji revolucionar ne memorien tone kombëtare – pikërisht ndërkohe që përgatitemi të festojmë pavarësinë e rilindjen tonë si komb, lë të mendojmë edhe për ri-lindjen e vërtetë te shtetit modern shqiptar te cilin ende ngelet qe ne vetë ta ndërtojmë.
/Thealbanian.co.uk
/l.k./