Gjermania miraton ligjin e punësimit legal, për të shmangur azilantët
Në Gjermani është miratur ligji “Pizza Delivery”, me qëllim për t’i dhënë fund fluksit të paligjshëm të emigrantëve nga Ballkani Perëndimor.
Përmes këtij ligji, nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Gjermania do të pranojë emigrantë të formalizuar me kontratë pune në këtë shtet. Ligji quhet “Pizza Delivery” (shpërndarje picash), pasi do të pranohen jo vetëm individë të diplomuar në bachelor apo master, por edhe zanatçinj.
Veç të tjerash, Gjermania ka hequr gjithashtu si kusht sigurimin e një kontrate pune me pagesë mujore jo më pak se 4500 euro. Por, një nga kushtet që vazhdon të konsiderohet domosdoshmëri për punësimin në Gjeramani, mbetet njohja e gjuhës gjermane.
Sipas ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, “çdo shqiptar që ka deklaruar heqjen dorë nga kërkimi i azilit në Gjermani dhe është kthyer në Shqipëri deri përpara datës 24 tetor të këtij viti, ka të drejtën të aplikojë sërish për vizë pune në Gjermani”. Ata që janë të përjashtuar nga kjo e drejtë janë shqiptarët që aplikojnë për azil pas datës 24 tetor po të këtij viti.
/m.g