2 apo 3 milion euro? A po gënjehen futbollistët e kombëtares për shpërblimin?
Futbollistët e kombëtares kuqezi kanë bojkotuar stërvitjen paraditen e së dielës. Sipas “Sportal”, kjo ka ndohur pasi ata nuk kanë marrë ende shpërblimin e premtuar nga FSHF dhe Kryeministri Rama.
Në rast të fitores, që do të siguronte kualifikimin për në Euro 2016, do të merrnin 2 milionë euro. 1 milion të tjera iu premtua kombëtares nga kryeministri Rama, gjatë ngazëllimit që e pushtoi atë ditën e pritjes që i rezervoi ekipit kuqezi në kryeministri. 2 apo 3 milionë euro duhet të jetë shpërblimi?
Sportal shkruan se futbollistët kanë kërkuar të marrin të gjithë shumën, atë të FSHF bashkë me atë të premtuar nga Rama. Kuqezinjtë janë befasuar kur presidenti i FSHF, Armando Duka u ka thënë që stafi po merrej me shpërndarjen e shpërblimit prej 2 milionë eurosh.
Ata e kanë shprehur hapur pakënaqësinë dhe i kanë thënë presidentit Duka se shuma duhet të ishte 3 milionë, ashtu siç u ishte premtuar. Por në sqarimin e dhënë nga zyrtarët e FSHF është zbuluar një “truk” i shpërblimit të premtuar.
Ai do të jetë vetëm 2 milionë, pasi kjo shumë përfshin edhe pjesën e premtuar nga kreu i qeverisë. FSHF e bëri publik vendimin për t’u dhënë 2 milionë euro shpërblim lojëtareve përpara ndeshjes me Armeninë.
Ndërsa kryeministri foli për 1 milion euro të tjera në festimet e organizuara prej tij ditën e kthimit të kombëtares nga Jerevani, pas fjalimit që e titulloi “Fati është me ata që nuk dorëzohen”. Për këtë arsye lojëtarët kërkojnë shpërblimin prej 3 milionë eurosh. Zyrtarët e FSHF po përpiqen ta minimizojnë këtë çështje, e cila i ka kaluar kufinjtë e diskutimeve brenda familjes kuqezi.
Si kapiteni Cana më parë, por edhe presidenti Duka të hënën në emisionin “Procesi Sportiv”, janë përpjekur ta minizojnë këtë çështje. Madje, kreu i FSHFsë i pyetur rreth këtij problemi, e përjashtoi krejtësisht atë, duke e konsideruar si gjithçka të stisur.
Nga qeveria nuk ka patur asnjë reagim. Ndërsa lojtarët duket se nuk do të dorëzohen përpara kësaj surprize të pakëndshme, me shpresën për ta patur sërish fatin në anën e tyre. Kësaj here betejën e kanë me FSHF dhe qeverinë. Shenjat e para se nuk do të dorëzohen i dhanë të dielën duke braktisur stërvitjen.
/l.k./