Gratë siriane luftojnë për të shpëtuar qytetin e tyre
Kush do të donte të ishte grua në Aleppo? Popullsia femërore e qytetit të dytë Sirian e gjen veten të kërcënuar si nga mizogjinorët vdekjeprurës të Shtetit Islamik (ISIS) ashtu edhe nga aleatët rusë të presidentit, Bashar al-Asad.
“Më parë, forcat e Asadit nuk ishin në gjendje ti hidhnin bombat e tyre, kur ishte shi ose kishte re, kështu që ato ishin ditë që i prisnim me kënaqësi,” tha Zaina Erhaim, një regjisore dokumentari nga Aleppo. “Por tani erdhën rusët dhe ata mund të bombardojnë edhe në këto kushte, kështu që nuk ka më lehtësim nga vdekja që vjen nga qielli.”
Mes kasaphanës dhe vuajtjes, Erhaim sapo ka përfunduar një dokumentar që përpiqet të tregojë një histori që ishte në rrezik për t’u harruar: historinë e grave që zgjodhën të mos largohen, por të qëndrojnë dhe të ndihmojnë një qytet që ti mbijetojë ditëve të tij më të rënda.
“Nuk po e luftojnë vetëm burrat luftën në Siri; janë edhe gratë, gjithashtu, dhe ato ndihen të harruara, “tha ajo për Observer. “Gratë aktiviste po punojnë më shumë, kundër më shumë problemeve, por janë harruar pasi Perëndimi është fiksuar me Shtetin Islamik. Është vetëm Asadi kundër Isis, por ne jemi ende këtu në këtë vend të shkatërruar dhe tani po përballemi me dy armiq, Isis dhe Asad.”
Në filmin e Erhaim, të titulluar Gratë Rebele Siriane dhe filmuar gjatë 18 muajve të fundit, ajo profilizon disa nga mikeshat e saj të cilat kanë ndihmuar për të dokumentuar luftën, t’u shpërndajnë furnizime civilëve dhe të ofrojnë shërbime mjekësore në mënyra që disa nga vetë vendi i tyre tani e konsiderojnë si sjellje të papranueshme për gra. “Traditat tona patriarkale tani kanë armë,” thotë ajo.
“Pavarësisht nga nënkuptimi fyes i fjalës, unë nuk shqetësohem më nga ata që më quajnë hurma, që tregon dobësi, varësi, mjet të kënaqësisë së tij, pasurinë e tij, posedimin e tij,” tha ajo. Erhaim është koordinatore e projektit dhe trajnere me Institutin për raportimin e Luftës dhe Paqes (IWPR) në Siri.
“Si trajnere, unë duhet të bëj më shumë përpjekje që të merrem seriozisht me të trajnuarit e mi meshkuj, të cilët mendojnë ‘Hurma po na trajnon!” dhe “si mundet Hurma të dijë më shumë se burri më injorant?” Ata thonë se, si grua, unë duhet gjithmonë të kërkoj për një burrë, një burrë çfarëdo, dhe ta caktoj si kujdestarin tim nëpër pikat e kontrollit. Burrat e armatosur bisedojnë me kujdestarin tim në pikën e kontrollit dhe ai përgjigjet në emrin tim, sepse si grua unë pritet të jem shumë e brishtë për të biseduar me një të huaj. Ky është rregulli i përgjithshëm, por unë jam një përjashtim, së bashku me qindra gra revolucionare që u rezistojnë të gjitha këtyre.”
Erhaim filmoi pesë gra: Ghalia, Waed, Manar, Zein dhe Ahed. Manar është tërhequr nga projekti sepse ka frikë për sigurinë e familjes së saj. Waed bindi babain e saj që ta lejojë të largohet nga familja e saj në një qytet të kontrolluar nga qeveria për të shkuar në Aleppo dhe të punojë si ndihmëse në vijën e frontit. “Burrat shkuan në vijën e frontit,” tha ajo, “dhe unë kam punuar në vijën e frontit, gjithashtu. Burrat mbanin armë; edhe unë kam mbajtur armë. Burrat punonin në spitale në terren; Unë gjithashtu.”
Waed është e zemëruar sepse nuk ka të drejtë të vishet si të dojë dhe të flasë me kë të dojë. Kur mundet ajo shkon me bashkëshortin e saj përtej kufirit në Turqi, ku ajo mund të veshë fustane dhe ta heqë shaminë e kokës.
Aktivistja e komuniteti Ghalia, është përballur me sulme të përsëritura dhe përpjekje për ta vrarë. Djali i saj adoleshent e pret çdo ditë tek dera e shtëpisë së tyre, derisa ajo të kthehet në shtëpi. Ai ka mësuar të gatuajë dhe të përgatisë ushqim dhe të pastrojë, detyra që para luftës i bënte Ghalia si gruaja e shtëpisë.
“Më mungon jeta ime e vjetër,” tha ajo. “Më mungon gatimi dhe pastrimi i shtëpisë për familjen time.” Në vend të kësaj ajo ka themeluar një sërë qendrash që ofrojnë aftësim profesional për gratë vendase, duke ofruar vende të sigurta për gratë për tu takuar si dhe të mësojnë ndihmën e parë dhe aftësi të tjera të rëndësishme nëjetët e tyre të shkatërruara nga lufta. Një nga qendrat u bombardua nga forcat ekstremiste islamike.
“Brenda 10 viteve,” tha Erhaim: “Unë dua që një vajzë e re të kontrollojë në internet dhe të shohë se çfarë ka ndodhur në Siri dhe të gjejë prova të roleve që gratë kanë pasur. Kjo është arsyeja pse unë e bëra këtë film dhe pse të gjitha gratë rrezikojnë jetën e tyre për të dalë në të. ”
Ajo jeton në Aleppo me bashkëshortin e saj dhe thotë se është e vendosur të kthehet kur turneu i filmit të saj të përfundojë në SHBA këtë javë. Dy nga gratë që morën pjesë në këtë film duhet të udhëtonin me të, por atyre ju refuzua viza nga Britania. Ato do t’i bashkohen asaj këtë javë në Uashington.
“Ne jemi Sirianë: kështu që duhet të jemi terroristë,” tha ajo me keqardhje. “Ky është vendi juaj i bukur, faleminderit, por ne nuk duam të qëndrojnë. Kjo është shtëpia ime, ku miqtë e mi janë, nuk kam ndërmend të largohem, “tha ajo.
Vrasja e shumë aktivistëve që nga fillimi i revolucionit do të thotë se ajo nuk mund të lejojë që vdekjet e tyre të shkojnë kot.
Dy nga mikeshat e saj tani po punojnë si paramedike në spitale në terren prej nga mjekët e vërtetë dhe infermierët kanë ikur prej kohësh. Zein dhe Ahed të dyja flasin se si qajnë ndërkohë që kujdesen për të plagosurit. Të dyja kanë pësuar rrahje të rënda nga ushtarët e Assad-it, nga Shteti Islamik dhe nga burra të grupeve të tjera.
Zein kaloi 14 muaj në një burg të qeverisë sepse mori pjesë në demonstrata. “Qendra e paraburgimit është një varrezë për të gjallët,” thotë ajo. Në një moment ushtarët e qeverisë përdhunuan një të burgosur mashkull përpara saj. Kur ajo u lirua ajo gjeti shtëpinë e saj të shkatërruar dhe familja e saj ishte zhdukur. “Unë doja vetëm Ushtrinë e Lirë Siriane. Mora FSA, Al-Nusra dhe Isis. Ne thamë se Siria është për të gjithë. Të gjithë u bashkuan. ”
Zein ka hequr dorë nga shpresa për tu martuar, ose të ketë një familje. Erhaim, gjithashtu, thotë se burri i saj hoqi dorë “duke e bezdisur atë” që të ketë një fëmijë, pasi ata të dy dëshmuan pasojat e një sulmi ajror në një çerdhe pranë banesë tyre. Shumë shkolla janë shënjestruar saqë prindërit kanë frikë të dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë.
“Takova një grua që rrinte jashtë shkollës gjatë gjithë ditës, ndërsa pesë fëmijët e saj ishin brenda”, tha Erhaim. “Unë i thashë: ju nuk mund t’i mbroni ata duke u ulur atje. Dhe ajo tha: “Jo, por nëse klasa e tyre goditet atëherë të paktën unë do të vdes me ta.”/A.A.