UNICEF: Fëmijët viktima të dhunës, nuk kanë akses në institucionet e drejtësisë
Fëmijët e përfshirë në vepra penale, si viktima apo si dëshmitarë hasin vështirësi të mëdha gjatë kërkimit të zgjidhjeve të drejta dhe efektive, për të korrigjuar padrejtësitë dhe diskriminimin në jetën e tyre.
Studimi rajonal i bërë nga UNICEF në Shqipëri, Gjeorgji, Kirgistan dhe Malin e Zi u bë publik në një tryezë të rrumbullakët me të pranishëm nga UNICEF, Avokati i Popullit, ministria e Drejtësisë, ministria e Arsimit dhe ministria e Brenshme.
Ky studim vëren se fëmijët në Shqipëri e kanë gati të pamundur t’i besojnë një të rrituri jashtë ambientit të shtëpisë në lidhje me shkeljen e të drejtave të tyre në shkollë, shtëpi apo në komunitet. E aq më pak të sjellë një ankesë përmes sistemit gjyqësor, duke cituar frikën e hakmarrjes për veten dhe familjet e tyre.
Sipas përfundimeve të studimit për Shqipërinë, fëmijët dhe familjarët e tyre, nuk janë në dijeni të shërbimeve apo burimeve të caktuara ku mund të drejtohen në rast se gjenden në vështirësi.
Ndër grupet më të rrezikuara janë fëmijët të lindur në varfëri, fëmijë nga komuniteti rom, fëmijët me aftësi të kufizuara dhe veçanërisht vajzat. Sipas studimit të UNICF, fëmijët që janë viktima të dhunës, shumë rrallë kanë akses në sistemin e drejtësisë.
Nga statistikat e Ministrisë së Brendshme rezultojnë rreth 1689 fëmijë të përfshirë në vepra të ndryshme penale.
I pranishëm në këtë tryezë të rrubullakët ishte edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, i cili shprehu mbështetjen për të gjithë fëmijët, viktima të dhunës apo dëshmitarë të veprave të ndryshme penale. /m.g
Burimi: BalkanWeb