“Gjykata e shpalli të paaftë! Një i verbër nuk është i paaftë”
Historia e këtij personi të verbër tregon si një vendim i gabuar i gjykatës, i lëshuar sipas interesave, mund të vështirësojë pa të drejtë jetën e një qytetari.
Romeo Skënderasi, tregon për gazetën “Shqip”, se si në fëmijëri pas një temperature të lartë humbi shikimin. Por fati nuk mjaftohet me kaq, prindërit e tij divorcohen dhe Romeo zhvendoset në Shtëpinë e Fëmijës në Korçë.
Pas disa vitesh ai transferohet në një qendër për personat me aftësi të kufizuara. Drejtoresha e kësaj qendre, për të bërë të mundur zgjatjen e qendrimit të tij hap një proces gjyqësor, ku lëshohet një vendimi që i heq Romeos zotësinë për të vepruar.
Gjyqtari u mjaftua me faktin që ai ishtë i verbër dhe i pashkolluar për ta konsideruar atë si person të paaftë për të vepruar, ndërkohë që ai veç zotësisë për të vepruar, kishte talent për muzike dhe ishte i angazhuar në korin e kishës.
Motra e Romeos, e emigruar prej vitesh në Greqi për arsye ekonomike, kërkoi që ta marrë vëllain e saj dhe të kujdeset për të. Por vendimi i gjykatës që e shpalli atë të paaftë për të vepruar e pengonte dhe Romeo ishte i detyruar të qendronte në qendrën ku trajtoheshin dhe persona me probleme të shëndetit mendor.
Situata u zgjidh vetëm pas ndërhyrjes së Shoqatës së të Verbërve, përfaqësuesit e së cilës hapën procese të tjera gjyqësore, që të vërtetonin se Romeo ishte një person pa probleme të shëndetit mendor. Pas shumë përpjekjesh nga Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë, Romeos i kthehet e drejta e mohuar prej shumë vitesh. Tanimë ai jeton i lumtur nën kujdesin e motrës së tij.
/l.k./