Udhëzime të reja për mjekët mbi kujdesin shëndetësor transgjinor
Udhëzimet e reja për mjekët që u mundësojnë atyre të rrisin njohuritë dhe ndjeshmërinë e tyre ndaj njerëzve transgjinorë dhe çështjet unike shëndetësore me të cilat ata ballafaqohen janë miratuar nga Shoqata Botërore Mjekësore.
Në Asamblenë e saj vjetore të Përgjithshme në Moskë, WMA theksoi se çdokush ka të drejtë të përcaktojë gjininë e tij dhe se mospërputhja gjinore nuk është në vetvete një çrregullim mendor. Delegatët nga pothuajse 60 shoqata mjekësore kombëtare ranë dakord se duhet bërë çdo përpjekje për ta bërë kujdesin shëndetësor transgjinor të individualizuar, multi-profesional, ndërdisiplinor dhe të përballueshëm për të gjithë njerëzit që përjetojnë mospërputhje gjinore. Ata miratuan udhëzime të qarta që kundërshtonin çdo formë të trajtimit të dhunshëm apo të detyruar të modifikimit të sjelljes dhe thanë se kujdesi sëndetësor transgjinor ka për qëllim që të mundësojë njerëzit transgjinorë të kenë cilësinë më të mirë të mundshme të jetesës.
Udhëzimet janë propozuar nga Shoqata Mjekësore gjermane, e cila tha se ata i pranuan pabarazitë me të cilat ballafaqohet komuniteti transgjinor dhe rolin vendimtar të luajtur nga mjekët në këshillimin e personave transgjinorë dhe familjeve të tyre rreth trajtimit.
Delegatët thanë se ishin të vetëdijshëm për ndjeshmërinë kulturore në disa pjesë të botës në lidhje me këtë çështje, por gjithashtu thanë se ishte e rëndësishme që WMA të theksojë se konsideratat kulturore, politike apo fetare nuk duhet të marrin përparësi mbi të drejtat, shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve transgjinorë.
Presidenti i WMA, Sir Michael Marmot, tha: “Ne dënojmë të gjitha format e diskriminimit, stigmatizimit dhe dhunës kundër personave transgjinorë dhe duam të shohim masat e duhura ligjore për të mbrojtur të drejtat e tyre të barabarta civile. Dhe si shembuj të mirë, mjekët duhet të përdorin njohuritë e tyre mjekësore për të luftuar paragjykimet në lidhje me këtë çështje. Ne do të donim që shoqatat mjekësore kombëtare të ndërmarrin veprime për të identifikuar dhe luftuar pengesat e shëndetit.
“Është e rëndësishme që të ketë trajnime të përshtatshme ekspertësh për mjekët në të gjitha fazat e karrierës së tyre për t’u mundësuar atyre që të njohin dhe shmangin praktikat diskriminuese, dhe të sigurojnë kujdes shëndetësor të përshtatshëm dhe të ndjeshëm transgjinor.”/A.A.