Represioni ndaj tatimpaguesve nuk sjell të ardhura shtesë në buxhet
Nga Gjergj Erebara
Plani i qeverisë për të rritur të ardhurat buxhetore përmes luftës kundër evazionit fiskal duket se nuk solli asgjë pozitive gjatë muajit shtator, bëhet e ditur nga statistikat e të ardhurave dhe shpenzimeve të publikuara nga Ministria e Financave.
Sipas bilancit zyrtar të publikuar nga Financat, të ardhurat gjatë muajit shtator qenë 30.5 miliardë lekë, gati 4.1 miliardë më pak se sa plani i rishikuar dhe 5.5 miliardë më pak se sa plani fillestar.
Qeveria shqiptare nisi në shtator 2015 një fushatë të gjerë kundër informalitetit në ekonomi, fushatë që solli arrestimin e disa dhjetëra qytetarëve të akuzuar se kanë kryer aktivitet ekonomik të paregjistruar në tatime si dhe duke ashpërsuar masat represive për evazionin fiskal. “Ne jemi në luftë me informalitetin”, deklaroi kryeministri Edi Rama në fillim të shtatorit.
Problemi i qeverisë lidhet me faktin se rritjet e taksave dhe tatimeve të kryera në fillim të vitit 2015, si rritja e taksës së qarkullimit mbi naftën me 10 lekë litër apo rritja e akcizës së cigareve me 20 lekë për paketë nuk sollën rritjen e pritshme në të ardhura. Qeveria pati shpresuar që të ardhurat e saj do të rriteshin me 13 për qind këtë vit. Por në korrik, qeveria e ndryshoi planin për vitin 2015 duke e ulur parashikimin e të ardhurave me 4 për qind. Ndryshimet duket se nuk janë të mjaftueshme. Edhe përkundrejt planit të reduktuar, deficiti në të ardhura vijoi të rritet. Deri në fund të shtatorit, të ardhurat e qeverisë janë 5 për qind më të larta se sa një vit më parë, me tendencë përkeqësimi gjatë muajve të fundit. Kështu, pavarësisht taksave të rritura, të ardhurat për muajin shtator u rritën në bazë vjetore me vetëm 0.7 për qind.
Gjatë muajit shtator, policia njoftoi për dhjetëra të arrestuar për mospagesë taksash, përfshirë arrestimin e dy berberëve, një parrukiereje dhe disa tregtarëve të deleve, si pjesë e masave ekstreme që synojnë mbledhjen e të ardhurave tatimore. Përgjatë të gjithë muajit shtator, administrata tatimore dhe ministria e Financave publikuan njoftime për rritje marramendëse të numrit të bizneseve të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, biznese që supozohej se më herët punonin pa taksa si dhe për shumëfishim të numrit të faturave fiskale të prera nëpër pikat e shitjes me pakicë.
Në tetor, Ministria e Financave deklaroi se kishte ndër mend të ndalonte fshatarët të shisnin prodhimet e tyre vetëm te blerësit me shumicë dhe jo ku të mundnin si tani, duke kërcënuar me konfiskimin e mallrave.
Për fat të keq, këto lajme për suksesin e fushatës anti-informalitet, nuk u konvertuan në rritje të të ardhurave buxhetore.
Duke pranuar këtë realitet, Ministria e Financave tha në një deklaratë se “sipas treguesve fiskale të konsoliduar, ende paraprakë, (për arsye të njohura tashmë), ecuria e të ardhurave për periudhën është poshtë nivelit të pritshëm.”
Ministria nuk bëri të ditur nëse mendon se është e arsyeshme të vijohet me përndjekjen me burg të tatimpaguesve të vegjël, pavarësisht se këto masa arsyetohet se përveçse nuk po i rrisin të ardhurat, po shkaktojnë një klimë të panevojshme terrori si dhe dyshohet se po rrisin praktikat predatore dhe gjobëvënëse të administratës tatimore ndaj bizneseve.
Shtrëngohen shpenzimet
Për momentin, rritja e deficitit në të ardhurat e qeverisë në krahasim me planin, nuk ka shkaktuar ndonjë problem me deficitin e përgjithshëm të buxhetit, i cili është shumë më i ulët nga parashikimet. Shkaku për këtë është se bashkë me deficitin në të ardhura, qeveria ka shtrënguar dorën apo nuk ka qenë në gjendje të kryejë investimet publike të parashikuara, gjë që i ka mbajtur shpenzimet e përgjithshme në nivele të ulëta.
Plani i shpenzimeve kapitale të qeverisë është realizuar vetëm në masën 50 për qind në fund të shtatorit, gjë që sugjeron se një pjesë e konsiderueshme e investimeve të këtij viti nuk do të realizohen. Shpenzimet totale të qeverisë prej 297 miliardë lekësh për periudhën janar-shtator 2015 janë në të njëjtin nivel me shpenzimet e vitit 2014.
Mosrealizimi i shpenzimeve të qeverisë, ndonëse shërben për të mos lejuar rritjen e borxhit publik të vendit, gërryen gjithashtu në masën e rritjes ekonomike për këtë vit.
/Reporter.al
/l.k./