Komuniteti LGBT në Shqipëri, me artin si një armë të fortë për aktivizëm
Arti është i fuqishëm nëse ka kauzë dhe e tejkalon mendimin klishe. Arti mund të përdoret për lëvizjet sociale, dhe nëse është i duhur e me mesazh, atëherë edhe mund të bëjë ndryshimin.
Se arti përdoret edhe në artin e komunitetit LGBT në Shqipëri, sot tregoi Xheni Karaj – aktiviste për të drejtat e komunitetit gay, lezbike, transgjinor dhe biseksual, në një punëtori në kuadër të festivalit FEMART në kryeqytet. Karaj, një prej zërave më të fuqishëm të këtij komuniteti, ka treguar se me narrativin artistik ky komunitet ka mundur të ndeshet mirë me diskursin shoqëror, gjithmonë me tendencën për të sjellë pranimin e këtij komuniteti në Shqipëri.
Ligjërata e saj ka nisur kur ajo tregoi mbi veprimet e para artistike të aktivistëve të komunitetit në Shqipëri. Vizatimi i stolave afër Presidencës, më pas grafitit nëpër qytetin e Tiranës, janë vetëm disa prej ndërhyrjeve dhe pushtimeve që ky komunitet i ka bërë hapësirës publike. Nuk mungojnë as mesazhet politike.
“Dikur patëm vizatuar grafite me mbishkrimin LGBT = Votues, që nënkuptonte se komuniteti LGBT në Shqipëri është ekzistues, nuk është kërpudhë e kohës moderne, dhe se ai voton, prandaj partitë politike duhet filluar me integrimin e komunitetit dhe duhet përfshirë çështjet LGBT në programet e tyre të punës” tregon Karaj.
Gjithçka ndodh pa lekë, por më shumë me një mobilizim perfekt mes komunitetit. Ka nisur me pesë lezbike, ndërsa sot numërohen plot të tjerë që e përkrahin komunitetin, në përdorimin e artit për aktivizëm.
“Në Shqipëri, lëvizja LGBT ka qenë gjithmonë shumë e lidhur me lëvizjen feministe. Kemi protestuar bashkë dhe kemi ndihmuar bashkërisht me idetë tona. Unë i shoh dy lëvizjet si të bashkuara drejt triumfit” tregon Karaj.
Në punëtori morën pjesë anëtarë të komunitetit nga Kosova e rajoni, studentë të fushave të gazetarisë e psikologjisë dhe aktivistë që përkrahin fort lëvizjen LGBT në Kosovë.
Arti dhe shpërfaqja e tij ka vazhduar më vonë me ekspozitën Article One, në bashkëpunim me komunitetin artistik në Stokholm. HAVEIT – grupi i vajzave nga Prishtina më pas kanë qenë pjesë e rezidencës artistike Unstraight Museum – një rezidencë kjo që promovon artistët e komunitetit LGBT drejt përçimit të mesazheve.
Ka pasuar dokumentari SkaNdal, ku tregohet e elaboruar historia e komunitetit dhe gjithçka lidhur me të.
“Arti, për vende si Shqipëria është qasje pozitive ndaj njerëzve dhe nëse jep mesazhin e duhur është mënyrë shumë adekuate. Me art shumë herë mund të jepen mesazhe që ndryshe nuk jepen dot” pohon Karaj.
Punëtoria ishte pjesë e Festivalit FEMART, festivali i aktivisteve për të drejtat e njeriut që sonte mbyllë edicionin e tretë./A.A.