Avokati i Popullit dhe Shoqëria Civile, bashkë për të ndaluar dëbimin e komunitetit Rom tek liqeni
Avokati i Popullit dhe Shoqëria Civile, kanë dalë në një deklaratë të përbashkët për media, ku kërkojnë pezullimin e zhvendosjes së komunitetit Rom dhe Egjiptian nga zona e Liqenit Artificial të Tiranës. Mbi të gjitha, kërkohet zgjidhja e situatës në përputhje me standardet ligjore dhe ndërkombëtare.
Pas deklaratës së djeshme ku zyra e Avokatit të Popullit i bënte apel institucioneve të shmangnin zhvendosjen me forcë të familjeve rome nga Liqeni Artificial, sot këtë deklaratë e kanë mbështetur edhe shumë organizata të Shoqërisë Civile.
“Zhvendosja aktuale e komunitetit rom dhe egjiptian po kryhet në mungesë të një komunikimi dhe konsultimi midis Bashkisë Tiranë dhe komunitetit të prekur, lidhur me përcaktimin e zgjidhjeve. Ne besojmë se në këto kushte mungon informacioni i plotë mbi çfarë i pret këta qytetarë dhe kjo situatë rrezikon të rëndojnë më tej gjendjen e tyre të vështirë, duke krijuar një tjetër problem edhe më të mprehtë social”, shkruhet në deklaratë.
Gjithashtu i kërkohet Bashkisë të gjendet një zgjidhje e mirëmenduar, pasi sipas deklaratës, deri më sot, Bashkia Tiranë nuk ka një plan të mbështetur në një njohje të plotë të tipologjisë së komunitetit, gjendjes të secilës prej familjeve, qoftë në aspektin e aksesit për një strehë të sigurt, aksesit në skemat e mbrojtjes sociale, gjendjen e tyre ekonomike dhe të pasojave që do të vuajë secila prej tyre, në rast zhvendosje nga zona e Liqenit Artificial, të Tiranës.
Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Organizata si Civil Rights Defenders, Komiteti Shqiptar i Helsinkit apo Koalicioni për organizatat e fëmijëve BKTF thonë se “zhvendosja e këtij komuniteti nuk po kryhet në përputhje me parimet dhe standardet ndërkombëtare të dëbimeve të detyrueshme, nuk respekton akte të rëndësishëm të OKB-së, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Por në deklaratë tërhiqet gjithashtu vëmendja edhe për disa media që po e përcjellin problemin me një gjuhë që krijon premisë për nxitjen e urrejtjes dhe përforcon stereotipe krejtësisht të dëmshme për një shoqëri demokratike, ose të cilat ushqejnë qëndrime diskriminuese kundrejt këtij komuniteti.
Subjektet mbështetëse të deklaratës:
Institucionet publike:
– Avokati i Popullit
– Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi
Organizatat jofitimprurese
– Komiteti Shqiptar i Helsinkit
– Fondacioni i Shoqerise se Hapur per Shqiperine
– Civil Rights Defenders
– Res Publica,
si dhe Koalicioni BKTF qe permbledh 30 shoqata për të drejtat e fëmijëve. /m.g