Policia ndalon protestën kundër CEZ-it, shkak ndeshja Shqipëri-Serbi
Ministria e Punëve të Brendshme ka refuzuar kërkesën e një grupi qyetatrësh për të protestuar kundër skandalit në CEZ. Protesta u kërkua nga grupimi me emrin “Protestuesi’ dhe do të zhvillohej këtë të enjte pranë Bashkisë Tiranë.
Sipas shkresës së bërë publike nga ky grupim, arsyeja është mungesa e efektivëve të policisë së cilët Drejtoria e Policisë së Tiranës ka argumentuar se do të jenë të angazhuar në ndeshjen e futbollit, Shqipëri-Serbi.
“Sipas nesh, arsyeja e refuzimit të kërkesës është qesharake. Tirana nuk mund të jetë e zbrazur nga policia për një ndeshje futbolli,” tha për BIRN Rigels Xhemollari, një përfaqësues i grupimit. “Ne gjithashtu dyshojmë se institucionet po i dalin krah megakorrupsionit të CEZ, duke na penguar të organizojmë një protestë civile, paqësore”, shtoi ai.
“Protestuesi” është një grup të rinjsh dhe qytetarësh, të cilët e kanë shpallur të enjten e çdo jave si ditën qytetare të protestës kundër shkeljeve të pushtetarëve në vend. Ata organizuan të enjten që shkoi (1 tetor) një protestë paqësore kundër aferës korruptive në sektorin energjetik CEZ Shpërndarje.
“Ne jemi qytetarë, të revoltuar nga mafiozët e pushtetit politik, të cilët jo vetëm që vjedhin paratë publike e të qytetarëve, por nuk kursejnë burgun për çdo kryefamiljar në kufijtë e mbijetesës, si dhe luajnë me çmimin e energjisë, luajnë me jetët e qytetarëve, sipas interesave të xhepave të tyre në dëm të xhepave tanë”, u tha në deklaratën për shtyp të grupimit “protestuesi”.
/reporter.al
/l.k./