Raporti i Bankës Botërore: Ballkani po humb kapitalin njerëzor
Një raport i ri i Bankës Botërore mbi ekonomitë e gjashtë vendeve të Ballkanit, paralajmëron se rajoni është duke humbur një pjesë jetike të popullsisë së tij të re dhe të arsimuar.
“Vendet e EJL6 (Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina), janë ndër rajonet me më shumë emigrantë të dërguar në botë, numër ky sa një e katërta e popullsisë aktuale të këtyre vendeve që jetojnë jashtë vendeve të tyre”, thuhet në raport.
Raporti thekson se përkundër viteve 90-të, kur njerëzit largoheshin nga shkaku i konfliktit në Ballkan, tanimë shumica e tyre largohen nga atdheu për shkaqe ekonomike.
“Sidomos rritja e ulët ekonomike që nga kriza globale financiare, papunësia kronike e lartë, niveli i të ardhurave në një të tretën e mesatares së BE-së, kanë kufizuar gjenerimin e të ardhurave në familje në rajon. Si pasojë, njerëzit vazhdojnë të emigrojnë në kërkim të mundësive më të mira ekonomike”, thuhet më tej në raport.
Problem i madh për vendet e Ballkanit është se shumica e emigrantëve janë të rinj, të moshës së punës, dhe në përgjithësi me arritje më të lartë të arsimit se sa grupmoshat e vendeve ku ata shkojnë. /m.g
Burimi: Telegrafi