Avokati i Popullit nis hetimin e zhvendosjes së komunitetit rom pranë Liqenit Artificial
Zyra e Avokatit të Popullit ka dalë në një deklaratë për median, ku thuhet se është nisur shqyrtimi i çështjes së zhvendosjes së pritshme të familjeve rome të vendosura në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës.
Në deklaratë thuhet se strehimi i familjeve rome që janë vendosur në zona periferike, është rast i përsëritur dhe Avokati i Popullit, ka kërkuar shpjegime nga Bashkia Tiranë, për bazën e trajtimit të kësaj çështje. Gjithashtu kërkohet të bëhet i ditur studimi paraprak që ka kryer bashkia në lidhje me këtë, si dhe masat e parashikuara për vazhdimin normal të jetesës të familjeve rome që do të shpërngulën.
“Përtej çdo paragjykimi lidhur me këtë çështje, konsiderojmë si prioritare: përjashtimin kategorik të zhvendosjes me forcë të këtyre familjeve rome nga territori publik në zonën e Liqenit Artificial. Shmangia e keqtrajtimit fizik të këtyre banorëve duhet të jetë në vëmendjen e çdo institucioni shtetëror, aktorëve të shoqërisë civile, si dhe të partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në njoftimin për media.
Nisur nga kjo situatë, në deklaratë thuhet se Avokati i Popullit ka evidentuar gjendjen e të drejtave të minoritetit rom në Shqipëri dhe u ka drejtuar institucioneve përgjegjëse, një sërë rekomandimesh të rëndësishme, që synojnë marrjen e masave për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit romë.
“Mbështesim shoqërinë civile dhe shoqatat në mbrojtje të minoritetit romë në përpjekjet e tyre për garantimin dhe respektimin e të drejtave të kësaj kategorie”, shkruan zyra e Avokatit të Popullit. /m.g