Bashkia e Tiranës, largon familjet rome tek Liqeni Artificial
Nisur nga shqetësimet e vazhdueshme të banorëve të zonës pranë Liqenit Artificial të Tiranës, për zgjidhjen e problemit të ndotjes, sigurisë dhe zënies së hapësirës publike, institucioni njofton se ka gati një plan të detajuar veprimi për ndërhyrjen dhe zhvendosjen e familjeve të komunitetit rom që jetojnë aty prej vitesh.
Veç kësaj, theksohet se vendimi është marrë pasi është evidentuar ndotje e madhe mjedisore nga përqendrimi i fekaleve dhe derdhja e tyre në kanalin e ujërave të bardha anash rrugës dhe në brendësi të Liqenit Artificial, duke rënduar ndjeshëm nivelin e ndotjes së liqenit.
Banorët romë, të cilët ndodhen në zonën e Liqenit Artificial kanë vetëm 10 ditë kohë për të lënë banesat e tyre, pasi në të kundërt do të ndërhyjë bashkia për t’i larguar. Këta banorë do të vendosen në qendrën tranzitore të emergjencave që ndodhet në zonën e Tufinës në kryeqytet.
Në komunikatën zyrtare thuhet se bashkia ka gati një plan të detajuar veprimi për ndërhyrjen dhe zhvendosjen e familjeve të komunitetit rom, të cilët, sipas tyre, kanë uzurpuar një pronë publike të qytetit të Tiranës.
“Familjeve të komunitetit rom, të cilat do të zhvendosen nga zona në fjalë dhe që janë banorë të kryeqytetit, Bashkia e Tiranës u ofron një strehë me kushte shumë më të mira jetese dhe të gjithë ndihmën e nevojshme logjistike për sistemimin pranë Qendrës Tranzitore të Emergjencave në Tufinë. Kurse, familjeve të cilat rezultojnë me vendbanim dhe të regjistruara në gjendjen civile të qyteteve të tjera të Shqipërisë, do t’u sigurohet transporti falas”, thuhet në njoftimin zyrtar të Bashkisë së Tiranës.