Sëmundjet e zemrës po prekin dhe të rinjtë; Shkak: stresi dhe jeta pasive
Numri i personave të prekur nga sëmundjet e zemrës po rritet çdo ditë në vendin tonë. Ajo që është më shqetësuese lidhet me faktin se është ulur ndjeshëm mosha e të prekurve, pasi tashmë edhe 30-vjeçarë po diagnostikohen me probleme kardiovaskulare. Stresi dhe jeta pasive janë ndër faktorët kryesorë dhe ajo që vihet re është se meshkujt janë më të rrezikuar.
Në një intervistë për gazetën “Shqip”, mjekja kardiologe e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, Daniela Teferici, shpjegon se janë disa sëmundje të zemrës si sëmundjet e enëve të gjakut që ushqejnë zemrën dhe sëmundje të muskulit të zemrës. Gjithashtu është edhe sëmundja e arterieve koronare dhe sëmundja reumatizmale valvulare.
Sëmundja e arterieve koronare po prek gjithnjë e më shumë moshat e reja. Doktoresha thotë se ajo ka filluar të prekë edhe moshat 30 vjeç. Në Shqipëri prek mosha më të reja sesa 20 vite më parë dhe është një sëmundje që prek njerëzit të cilët abuzojnë me ushqimin, nuk kanë një regjim ushqimor, gjë që është shumë e përhapur vitet e fundit.
Sëmundja e arterieve koronare, për shkak të prishjes së stilit të jetesës dhe rritjes së numrit të personave që nuk bëjnë aktivitet fizik dhe shfaqet në mosha më të reja, duke filluar që nga 30-vjeçarët. Më përpara shfaqej në moshën mbi 50 vjeç dhe meshkujt janë gjithmonë më të prekur se femrat.
Dr. Teferici, thotë që sidomos moshat e reja, duhet të ndryshojnë stilin e jetesës, të hanë shëndetshëm, të hanë me orare, të evitojnë yndyrat shtazore dhe të marrin ato bimore. Gjithashtu duhet të lëvizin shumë dhe të bëjnë të paktën 30 minuta në ditë aktivitet të moderuar deri në intensiv fizik.