Fuqia punëtore në Shqipëri në rënie, ndër më të ultat në Europë
Pjesëmarrja në fuqinë punëtore në Shqipëri është e ulët në krahasim me rajonin. Në studimin më të fundit të Bankës Botërore mbi tregun e Punës në Shqipëri referohet se, shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës është e ulët në të gjithë Ballkanin Perëndimor, ku Bosnja paraqitet me nivelin më të ulët 54%.
Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës në Shqipëri është 62 %, ndërsa në vendet e zhvilluara ky tregues është mbi 75%-90%. Të dhënat i referohen vitit 2013. Raporti thekson gjithsesi, se në raport me vendet fqinje, Shqipëria paraqitet më mire.
Në pjesëmarrjen në fuqinë punëtore shihen pabarazi të mëdha në Shqipëri, ku pjesëmarrja më e ulët është në mesin e femrave. Ekzison një hendek në pjesëmarrjen e fuqisë punëtore mes meshkujve dhe femrave në moshë pune.
51% e grave marrin pjesë në forcën e punës, ndersa për meshkujt ky tregues është 72%. Studimi vëren se rreth 68% e grave të reja janë joaktive në forcat e punës.
Të dhënat për vitet e fundit, tregojnë se pjesëmarrja e fuqisë punëtore ka vazhduar rënie në vitin 2012 dhe 2013, me disa shenja të rimëkëmbjes në vitin 2014.
Burimi: Revista Monitor