Ministria e Arsimit mbyll 6 shkolla që nuk përmbushin standardet
Me fillimin e vitit të ri akademik, Ministria e Arsimit ka mybllur 6 shkolla private të mesme dhe 9-vjeçare në vend. Shkollat e mbyllura janë: “Tole Alba”, “Univers”, “Dituria” në Fier. Në Tiranë është mbyllur shkolla 9-vjeçare “Vitrina”, ndërsa në qytetin e Durrësit, shkollat “Dyrrahu” dhe “Pavarësia”.
Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, ka thënë se mbyllja e shkollave dje është bërë për shkak të një sërë problematikash të evidentuara nga Inspektorati i Arsimit. Sipas zëvendësministres Malaj, në fund të muajit qershor është kryer inspektimi, ku janë hasur mjaft probleme në lidhje me mënyrën se si duhet të funksionojë një shkollë.
Sipas saj, shkollave u janë lënë disa herë porosi nga inspektorati, por nuk kanë përmbushur standardet, ndaj u mor vendimi për mbylljen e tyre.
“Pas kontrollit që është ushtruar nga Ministria e Arsimit në fund të muajit qershor për të gjithë menaxhimin, ka pasur problematika. Inspektorati ka çuar disa herë kërkesën për t’i rishikuar standardet, por kjo nuk ka ndodhur. Ka pasur probleme me frekuentimin, vlerësimin, të gjithë dokumentacionin, të vlerësimit, ngarkesës, pra gjithë mënyrën si funksionon shkolla. Për këtë arsye, drejtoria e pa të udhës të çojë vendimin për mbylljen e shkollave. Nuk përbënin dhe nuk krijonin më procesin e një shkolle model dhe për të mos lejuar më nxënësit që të marrin këtë standard, u bë mbyllja”, sqaroi zëvendësministrja e Arsimit.
Për sa u përket nxënësve që mbetën pa shkollë, Malaj theksoi se janë marrë të gjitha masat për transferimin e tyre në shkollat publike. Ndërsa, nxënësit që duan të regjistrohen në shkolla të tjera private mund ta bëjnë këtë dhe nuk do të hasin asnjë problem.
“Nxënësit, pas mbylljes së shkollave, janë transferuar automatikisht në shkolla të tjera publike. Atje ku prindërit nuk duan t’i çojnë në shkollë publike, por duan një shkollë private, sepse ndihet më mirë, i përzgjedhin vetë shkollat që duan”, bëri të ditur zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj.
Burimi: Gazeta Shqip