Me apo pa faturë? Kjo është çështja…
REPORTAZH/ Vrulli i mbylljes së dyqaneve, të këmbënguljes së dhënies së faturave na bën të kuptojmë se në çfarë realiteti ishim më parë, fundja e ne, kur veçse këto ditë “habitemi me faturën edhe për një Orbit”. Pse nuk kërkuam më parë, edhe ne si blerës, faturën në dyqanet e mëdha dhe vërtet na dhimbsen fshatarët, të cilët (madje) nuk dinë të presin një faturë? Kush e përjeton “frikën” nga gjobat e ndëshkimi në kuadër të kësaj “lufte” kundër informalitetit? Mjafton të shikojmë turmat e njerëzve që kanë shkuar në QKR këto ditë…
Nga Deada Hyka
Rrugët e kryeqytetit nuk na janë dukur më bosh se sa në këto ditë të para të vjeshtës… Tashmë u bë fakt: mjaftuan fotot e para, shpërndarja e thashethemeve dhe një shëtitje nga rrugët kryesore të Tiranës, për të vërtetuar se, me nisjen e aksionit kundër informalitetit, bizneset u përgjigjën me mbyllje qepenash.
Që prej ditës së “famshme” të 1 shtatorit, datë e cila kish thuajse një muaj që dëgjohej e dëgjohej pafundësisht në deklaratat e politikanëve, në diskutimet e bizneseve, në media apo edhe në “humoret” apo “vëzhgimet” e rrjeteve sociale, (thuajse) të gjithë bizneset, të paralajmëruara nga tatimorët e kontrollet e tyre, që prej disa javësh më parë, dukeshin të impenjuar të tregonin se po zbatonin rregullat: kasë fiskale, këmbëngulje për t’i dhënë kuponin blerësit.
E hasa (dhe jo vetëm unë) në ditën time të zakonshme teksa po blija fruta-perime në tregun përballë shtëpisë. Brenda qeses tashmë gjendej kuponi tatimor. E hasën (të shumtë – madje me humor) që blinin veçse një byrek (30 lekë), tashmë me kupon përkatës. E hasa aty ku blija gjithmonë kafenë e mëngjesit, para se të shkoja për në punë, nga ana tjetër e banakut ngulmi për të më dhënë kuponin u shoqërua edhe me fjalinë: “Mbaje se kontrollet janë edhe për ju”. E habinë e kësaj këmbënguljeje e konstatuam kur blemë edhe artikujt më të vegjël si një pako Orbit…
Arsyet e mbylljes së qepenave të dyqaneve vijonin të shtoheshin, me numrin e dyqaneve që rastësia e një dite më bëri t’i konstatoj. Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, rruga “Myslym Shyri”, rruga e Tregut Çam, dyqanet në bulevardin “Gjergj Fishta”, e jo vetëm këto.
Bleva veshjen e parë me kupon tatimor në një nga dyqanet që frekuentoja më shpesh! Këtë ditë do ta mbaj mend gjatë.. Madje edhe përgjigjen e shitëses, e cila kur e pyeta “Sot me faturë?”, më tha: – “Sot, edhe mot…”
Mora shërbimin e kërkuar nga parukeria e lagjes, “krehje flokësh me faturë”… çdo blerje tjetër të asaj dite, me vete faturën. E shoh që çanta më është mbushur me faturat, që herë tjetër vështirë se do të m’i kishin dhënë.
Një gjë duhet ta kemi të qartë të gjithë: bizneset i treguan qepenin aksionit, shitësit (edhe ata më të vobektit) filluan të jepnin fatura fiskale. E përballë këtyre dy fakteve tashmë, me kalimin e ditëve të para të shtatorit, tregtarët janë ndarë në disa kategori: ata të cilët pohojnë se kanë qenë të rregullt me ligjin, kërkesat dhe zbatimin e tyre. E dyta, ata të cilët pohojnë me gjysmë zëri se blenë kasën e nisën të tregtonin me fatura dhe e treta, ata të cilët zgjodhën t’ia mbathnin nga sytë katër.
Dyqanet e rregullta “ankohen” nga tregtarët jo të ndershëm të cilët, sipas tyre, i kanë dëmtuar ekonomikisht. Por se fakt është që këta të fundit kanë qenë deri dje në rrugët kryesore madje, jo vetëm në rrugicat e lagjeve, e jo vetëm në Tiranë.
“Si ka mundësi që në mes të Tiranës ushtronin aktivitetin biznese pa licencë, apo me licencë të pezulluar, pa kasa funksionale dhe askush nuk u ka thënë gjë deri tani? Mirë, qeveria e mëparshme, po kjo çfarë bëri dy vjet”,- pohon një tregtar në një supermarket në zonën e ish-Bllokut.
“Provat” e para
Efektet e para të kësaj “rezistence” u panë në rrugën e njohur si Tregu Çam.
Po të shkosh nga ora 9.00-15.00 në tregun e veshjeve me pakicë në kryeqytet, që të gjithë e njohim si “Tregu Çam, do të vërehet se thuajse gjysma e dyqaneve janë të mbyllura, qepeni i të cilave besohet se do të shihet gjatë mbyllur, në varësi të asaj që të gjithë shitësit pohojnë: kontrolle të shumta. Një tjetër ndryshim që has në këtë rrugë sot, është që të duket më e madhe. Kjo, pasi një sërë tregtarësh të pak sendeve në numër, me një tavolinë modeste në rrugë, duket se janë larguar.
Tregtarët pohojnë që edhe vetë blerësit nuk janë mësuar me marrjen e faturës tatimore. “Me aq pak shitje sa kam pasur sot, blerësit u habitën kur u dhashë kuponin. U thashë: tani duhet”,- pohon një shitëse e rrobave për fëmijë.
Ndërsa të tjerë dyqane, me më shumë produkte pohojnë, se kanë qenë të pajisur me kasë fiskale edhe më parë dhe që gjithmonë ua jepnin blerësve të tyre.
Në fillim të kësaj rruge, ka edhe shitës me tavolina me rroba, “fqinjët” e të cilëve pohuan me zë të ulët se, kur erdhi kontrolli, ata nuk ishin. Ata mbase, në këto ditë, ishin të vetmit që rezultuan “ende pa kasë fiskale”.
Rrugët kryesore tregtare
Nga një vëzhgim në të gjithë rrugën “Myslym Shyri”, e njohur si një ndër rrugët tregtare më të rëndësishme në kryeqytet, vihen re një numër i konsiderueshëm i bizneseve të mbyllura, gjatë javës së shkuar.
Pyetja që të vë në dilemë në shpjegimin e kësaj situate është: Cila është arsyeja e vërtetë e mbylljes?
N.q.s me të vërtetë kanë mangësi dokumentacioni për ushtrimin e aktivitetit tregtar, atëherë si kanë mundur për vite me radhë disa syresh të qëndrojnë hapur? Apo, nga ana tjetër, meqenëse ky aksion është i paralajmëruar që një muaj më parë, e tatimorët kanë kryer kontrolle gjatë muajit gusht, përse nuk bënë përpjekje për të qenë të rregullt (n.q.s është kjo arsyeja e mbylljes së tyre)?
Një tregtar në fillim të rrugës, Andrea, që ka një vit që ushtron aktivitetin e tij, pohon se arsyet e mundshme të mbylljes së disa dyqaneve mund të kenë qenë: një licencë e pezulluar, kasë jashtë funksionit apo, edhe një mbyllje e përkohshme gjersa “vrulli” të ndalojë.
Në mesin e qepenave të mbyllur, kishte edhe një shënim, i cili nuk tregonte “Jepet me qira” apo “Shitet” si të shumtët, por në përpjekje për të mbyllur “gojët e liga”, shënimi ishte: “Mbyllet për arsye pushimesh”…
Një sërë rrugësh të tjera si Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, “11 Janari”, të njohura për numrin e madh të dyqaneve dhe bizneseve të tjera, nuk kanë qenë të përjashtuar nga ky trend i mbylljes së tyre, për shkak të aksionit. Kjo sjellje e bizneseve, e cila duket shprehje e moszbatimit të ligjit dhe arrogancës, shfaqej gjatë bulevardit “Gjergj Fishta”, Rruga e Porcelanit etj.
Jo vetëm Tirana…
Durrësi është një tjetër qytet, i cili duket se është “prekur” nga kjo tendencë mbyllëse e dyqaneve, që deri dje funksiononin normalisht. Shitësit pohojnë se kanë pasur kontrolle që nga muaji gusht dhe të gjithë bizneseve u është bërë i ditur afati 1 shtator, për të qenë në rregull me ligjin dhe dokumentacionin. Disa nga dyqanet, edhe përgjatë bulevardit kryesor të qytetit bregdetar, apo edhe në zonën pranë Gjykatës janë parë për ditë me radhë të mbyllura.
A kapet veshi i majtë me dorën e djathtë..?
Një sërë tregtarësh të fruta-perimeve në zonën e “Vasil Shantos” pohuan se ky aksion duket se “godet” vetëm bizneset e vogla. “Jemi dakord që të zbatojmë ligjin, edhe ne nuk na pëlqente kur dilnin shitës me tavolina para nesh, ne paguajmë taksa dhe qira. Por, shikoni, a mund ta përdorë kasën fiskale ai?”- përfundon fjalinë një tregtar, duke treguar me gisht një burrë të moshuar i cili, prej vitesh shet në tregun e “Vasil Shantos” fruta.
Shitësit tregonin se përtej krizës që ata hasin çdo ditë, kur në fund të ditës i mbeten një sërë produktesh pa shitur, kur shumica i prishen dhe i hedhin apo falin, për to nuk ishte veprimi i duhur për të luftuar informalitetin. “A kapet veshi i majtë me dorën e djathtë?”- tha një prej tyre, i cili shtoi se qeveria duhet të shohë edhe te kjo shtresë në vështirësi, por që nuk lë pa zbatuar ligjin.
A hahet sapuni për djathë?
Të shumta janë bizneset të cilat janë “trembur” nga vrulli i kërkesës së llogarisë, kontrolleve dhe gjobave nga të cilat mund të rrezikohen, por ka të tjerë që duan ta shesin sapunin për djathë. Disa të rinj pohojnë se bar-kafe në vend japin fatura tatimore, por që në të shënohet një orë e kaluar. “Në fillim nuk e vumë re, se si studentë që jemi, mendjen e kishim thjesht të shikonim shumën për të paguar. Më vonë, vinim re që ora ishte e kaluar, gjë që na bëri të besojmë se ka qenë një faturë e prerë më parë, për të njëjtën porosi si tonën”, – tha një student.
Një tjetër “shfaqje” që po ndodh ditët e fundit është që disa dyqane, të cilat qëndrojnë mbyllur gjatë ditës për shkak të kontrolleve, hapen pasdite. Mbase të shtyrë nga ideja që kontrollorët tatimorë vijnë paraditeve, si pjesë e orarit zyrtar të punës në administratë. Raste të tilla kanë ndodhur kryesisht në lagje të kryeqytetit, jo në rrugët kryesore.
Ajo që mbetet për t’u parë është sërish e hëna (e zezë!) e datës 7 shtator, ku është paralajmëruar nga kryeministri një kontroll në të gjithë Shqipërinë, me rreth 600 grupe kontrolli mes tatimorëve e inspektorëve të punës, për të kontrolluar bizneset e vogla.. Sa do të jetë numri i bizneseve me qepen mbyllur dhe a do të vijojnë zyrat e QKR me radhë të gjata…?
/Monitor.al