Gabimet seksiste
Nga Ilva Tare
Një valë kritikash në rrjetet sociale ka shpërthyer jo pa të drejtë ndaj një agjensie prestigjoze ndërkombëtare lajmesh, sic është Associated Press. Gabimi për të cilin komentuesit online kërkojnë shpjegim dhe shpagim është se AP i është referuar në një lajm zonjës Amal Clooney si bashkëshortja e aktorit George Clooney. Zonja Clooney ishte e përfshirë në buletinin e lajmeve si avokate e të drejtave të njeriut në mbrojtje të gazetarit të Al Jazeera Mohammed Fahmy në Kajro të Egjiptit dhe jo për fustanin, ngjyrën apo stilin që kishte zgjedhur për të darkuar me bashkëshortin, sic zakonisht e paraqet media.
Kjo ka qenë arsyeja që me dhjetra profesionistë që nuk i lidhin karrierën me bashkëshortët e tyre u irrituan dhe i kërkuan me ngulm agjencisë AP të korrigjonte lajmin. Megjithë etikën e cmuar profesionale dhe standardet e gazetarisë për të cilat shquhet, AP nuk e korrigjoi lajmin dhe përcaktimin e Clooney si bashkëshortja e aktorit. Por në një lajm të mëvonshëm e konsideronte Amal Clooney si avokate të të drejtave të njeriut për të njëjtën cështje,
Ndjeshmëria publike ndaj zonjës Clooney nuk lidhet vetëm me faktin që ajo konsiderohet një avokate e zonja në mbrotjtje të të drejtave të njeriut në disa raste të bujshme që nga Assange e deri tek statujat greke të mbajtura nga Muzeu Britanik në Londër. Në botën perëndimore gratë dhe burrat nuk gjykohen dhe as cmohen për atë që përfaqësojnë bashkëshortët e tyre. Një gjykim i tillë, që ndodh rëndom në mediat dhe komentuesit shqiptarë të kafeneve tokësore apo dixhitale, është primitiv dhe flet gjerë e gjatë për nivelin e civilizimit të shoqërisë sonë.
Nëse mediat online në Shqipëri do të ishin të rregulluara nga insitucione monitoruese të etikës dhe nëse do të udhëhiqeshin nga parimet e etikës nuk duhet të lejonin komente apo përcaktime seksiste në faqet e tyre të shndërruara në fletushka urrejtje për cilindo që ka fatin e keq t’i përmendet emri. Për shëmbull, një gazetare grua shpeshherë komentohet dhe konsiderohet në media si bashkëshortja e dikujt, mendimet dhe opinionet e të cilit përcjell. Apo anasjelltas, një gazetar me emër akuzohet se shkruan mendimet e gruas. Ka një perceptim, që uroj të jetë keqkuptim që njerëz publik nuk janë zotër të mendimeve të tyre, por përcues të argumentave të të tjerëve.
Mbrojtësit publik të Amal-it dhe komentuesit në rrjetet sociale sigurisht që kanë prejardhje të ndryshme zhvillimi e civilizmi, por ky fakt nuk i justifikon kolegët shqiptarë të mediave të bëjnë gabime të vazhdueshme seksiste, sidomos në kushtet kur për një gazetar mashkull nuk citohet ndonjëherë si burri i gruas së famshme. Debati është parimor dhe të pretendosh të mbrosh parimin në një klimë thuajse përcmuese ndaj gjinisë femërore është e vështirë, apo sic do të thonin komentuesit online poshtë këtij shkrimi është pfff… humbje kohe. Pasi edhe pse shpenzojnë kohe e komentojnë e nxijnë cdo shkrim e protagonist lajmesh, përfaqësuesit e “vrerit” dixhital në shumë raste harxhojnë kohën për të thënë se ishte humbje kohe. Një tjetër paradoks, që provon sa artificiale dhe sipërfaqësore janë komentet e atyre, që shtojnë të ardhurat e ëebsiteve me numrin e klikimeve.
Një shoqëri që investon orë të tera për ti sharë e ofenduar gratë në karrierë është qartësisht e kuptueshme që nuk do të ndjehej e fyer pse një avokate cilësohej si gruaja e yllit të Holliëood-it. Porse, një shoqëeri që nuk vlerëson punën, sakrificën për të arritur në shkallë të vlerësueshme të karrierës, është një shoqëri e dështuar të përfundojë në rrotat eksperimentale të historisë dhe histerisë mohuese të vlerave dhe sakrificave për të qenë një individ me kontribut modest në shoqëri. Amal Alamuddin nuk u bë botërisht e famshme për aftësitë e saj juridike, madje përpos elitës së avokatëve në Londër, pakkush kishte dëgjuar për brunen libanezo-britanike. Martesa me George Clooney i dha famë ndërkombëtare, por media nuk lejohet ta diskriminojë profesionalisht për shkak të bashkëshortit të saj. Sigurisht, edhe falë faktit se është pjesë e një shoqërie që lufton për të drejta të barabarta kundër etiketimeve seksiste, të paktën në shumicë të saj.
/java