Boll më! Mos më etiketo!
E dashura vajzë,
Kur ka qenë hera jote e fundit që ke veshur fustanin tënd të preferuar dhe je tmerruar sapo ke dalë nga pragu i derës e deri sa ke mbërritur në destinacionin për ku je nisur?
A mundesh me i njoh sa fjalë ke dëgjuar rrugës, sa herë që këmbët e tua kanë vënë hapa në sheshin e qytetit?
Hajde bëhu e sinqetë, sa herë je detyruar të përdorësh ironinë e fatit për të manipuluar me realitetin duke thurrë vargje, si, “ Nuk jam e interesuar, kam të dashur”?
Sa herë je ndjerë e frikësuar kur para teje kanë ecuar një grumbull djemsh të moshave të ndryshme dhe je bezdisur me faktin që nuk je edhe ti një nga ta?
A e ke provuar ndonjëherë të vësh kufjet në vesh dhe të ndalësh muzikën, veshur me rrobat e tua më të thjeshta dhe të dëgjosh “kryeveprat” nga goja e një hipokriti?
Sa herë të ka penguar prezenca e mazhorancës së maskarallëkut dhe thjesht të është dashur të heshtësh dhe të mos guxosh madje as kokën të ngresh?
Sa herë të kanë përshkruar me fjalët më të ndyra, të kanë qërruar pa e pasur detyrë e nevojë tek sa thjesht ke qenë pamendje, e të është dashur të improvizosh mbi ata tinguj të pashoq “Lëre mos ja rrit mendjen kurvës se boll e keqe qenka” ?
E sa, e sa të tjera, shembuj që të marrin ditën veç po ti mendosh?
Së pari, kush je ti djalë/burrë/plak që merr guximin të më tregosh mua se çfarë duhet të vesh? Kush je ti që guxon të më ngjallësh ndjenjën e frikës në shpirt?
Kush je ti që guxon të më lavdërosh? Kush ta kërkoi të më shikosh apo të më kritikosh?
Pse po e harxhon energjinë tënde prej ekstremisti duke fantazu mbi kofshët e mia? A e di ti sa i pështirë dukesh në sytë e mi? A e ke më të voglën ide se sa budalla tingëllon dhe sa pak ka rëndësi fjala jote në ato momente?
Ti që sa herë hap gojën për vijëzat e mia trupore të cilat janë krejt të natyrshme të pa thëna për të qenë të dedikuara nga epshet e tua, ma shpife!
Më kanë quajtur revolucionare të frikësuar që gjithë mllefin tim e fsheh pas rreshtave, që s’jam e gatshme të përballem në fytyrë me këta përbindësha mendjelehtë.
Më kanë thënë që kam nevojë për vëmendje dhe një gjë të tillë janë të gatshëm të ma japin në qoftë se gjoksin u lejoj me ma prek!
Paramendo, ku u ka mbetë krenaria dhe burrëria!
Sot, nuk jam vetë edhe nëse prapa nuk i kam 20 vajza si unë, sot kam zërin dhe gjithë respektin për veten.
Sot jam rritur për të luftuar padrejtësitë dhe për të të limtuar kufinjtë!
Sot dhe asnjë ditë më vonë duhet ta kuptosh djalë/burrë/plak i dashur që të drejtat e tua mbarojnë aty ku fillojnë të miat.
Rregullat nuk i bëjë unë, por i bën natyra, aq sa ke për të dhënë edhe do të marrësh!
Nevojtarëve si puna juaj që zbrazni gojën dhe trurin pa pika reference ju ka ardhë fundi!
Unë do të të luftoj ty, të premtoj! Hape sqepin dhe do të tregoj se si përdoren kthetrat!
Së bashku mund ta ndryshojmë realitetin, së bashku do të krijojmë superfuqi. Fundërrinave që mundohen të paraqesin rrezik në shoqëri do t’u tregojmë se pesha e fjalëve nuk matet me gjoks.
Sterotipi i parë emocional, psikologjik dhe seksual i vajzës krijohet në ditën e parë që ajo vjen në jetë, pikërisht në ato momente kur mjeku thotë “është vajzë”./A.A.