Flutura Açka: Edhe në kohën e Gjergj Lekës, ka shumë burra kurva
Pas intervistës së Gjergj Lekës ku ai hodhi “dritë” mbi jetën private të disa prej këngëtareve tona më të mëdha, përfshirë këtu Vaçe Zelën, sikur ne ta kishim të nevojshëm këtë shfryrje mllefi të tijin për këngëtare që kanë bërë histori në muzikën shqiptare, vjen një kundërpërgjigje nga shkrimtarja Flutura Açka. Ajo tregon:
“Dikur nga mesi i viteve 80-te, kur si studente rropatesha trenave të stërngadaltë shqiptarë, tek kthehesha një së shtunë nga Tirana për në shtëpi, rasti e dha të isha në një vagon, dhe madje fqinjë në stol me Parashevi Simakun. Bri saj, një i njohuri i saj, udhëtar i rastit si ajo (me gjasë ndonjë lloj artisti), po përpiqej t’i bënte shoqëri dhe ta argëtonte me ca si shakara, që më ngjanë më shumë si përpjekje për t’ia lypur pa turp. Një çast, ndërsa flisnin, ajo përmendi ligjin kapitalist të shfrytëzimit të njeriut NGA njeriu’ dhe se si kapitalizmi e zbatokërka aq pa mëshirë.
Qejfliu ynë, udhëtari i rastësishëm, u hodh shpejt në sulm, dhe i tha: “Jo Parashevi, e ke gabim, është ligji i ‘shfrytëzimit të njeriut MBI njeriun’, dhe qeshi me një latyrisje vetëkënaqësie që kishte gjetur një formë aq artistike t’ia thoshte pretendimet e ‘shefit së tij nën pantallona’. Parashevia qeshi lehtë sa për të thënë dhe ndërroi bisedë. Më pas nuk kujtoj gjë, por shpejt mbërriti stacioni i Kavajës. M’u kujtua kjo histori vitesh të shkuara këto ditë tek lexoja fjalët e një kolegu të saj për të, dhe ca simotra të saj, mes tyre dhe Vaçe Zelën.
Këto rreshta nuk janë në mbrojtje të këtyre grave, por në funksion të distancimit nga ky lloj arti dhe mllefi Seksist të shëmtuar, fyes, inatçor, denigrues dhe të pakulturuar ndaj artisteve femra. Për llojin e muzikës së Gj. Lekës nuk mund të flas, se nuk jam specialiste, por di të them se nuk shquhet kushedi çfarë, në një kohë kur kemi nevojë për art të vertetë nga ky dominim i vulgaritetit. Gjithsesi, shqetësimi im ka lidhje me gjuhën e poshtër dhe këllirën me sens seksist në gjykimin e kolegeve femra. Që një grua te jetë kurvë, nuk është ndonjë fatalitet i madh… sepse edhe mund ta justifikoj (në rrethana të caktuara duke qenë seks më i dobët, për interesa te caktura apo qoftë për kënaqësi).
Fundja nuk do të japë llogari për mënyrën se si e përdor biologjinë e saj. Por një burrë-kurvë është gjëja me e neveritshme mbi dhe. Dhe te tillë burra-kurva në Shqiperi ka shumë, ka patur shumë edhe në kohën që i referohet Gj. Leka. Por ai nuk i përmend, sepse problemi është të përbalten femrat kolege. Në asnjë rast të vetëm nuk kam parë që ai dhe kolegë të tij Seksistë të thonë një gjysmë fjale për politikën-kurvë, për artistë-kurvarë, për horra që vodhen dhe rropën Shqipërinë. Asnjëherë! Fundja në kohën e errët kur ‘mbreteronin’ Zela, Simaku e të tjera, ato ishin të paktat regëtima që ndryshonin nga minatorët, montateret, kipistet, tezgjahistet, e modele të tjera qe iu imponuan grarimit shqiptar. Edhe me ‘kurvërimin’ e tyre, ato e bënin njëfarë ndryshimi.
Ndërsa kurvat e vërteta që vranë e prenë, janë shpesh në ekrane dhe po aq të nderuar sa dikur ose janë varrosur me ceremonira shtetërore. Të paktën Vaçja, Parashevia, e të tjera ikën dhe ikja a tyre është ndjesë e heshtur. Se paku unë kështu e kam lexuar, edhe pse nuk jam e bindur për fajësine e tyre. Dhe kjo vijane këllirë kundër femrave artiste është e përsëritur, e qëllimtë që është produkt i një shoqërie burrash, edhe më tej: maçoiste. Deri kur?“/A.A.