Tiranë: Publikohet harta me nivelet e ndotjes mjedisore sipas zonave
Ministria e Mjedisit ka bërë publike përqendrimet më të larta të grimcave të ngurta të ajrit (PM10) në kryeqytet, ku bie në sy se në shumë zona prania e tyre është mbi dy herë më e lartë nga norma e BE për më shumë se 35 ditë në vit.
Kjo ndotje vjen kryesisht nga shkarkimet e automjeteve dhe është karakteristike për makinat e vjetra me motor dizel. Gjithashtu ndërtimi dhe infrastruktura në ndërtim janë kontribues në rritjen e PM10.
Nga harta e publikuar nga Ministria e Mjedisit bie në sy se zonat me përqendrimin më të madh të grimcave të ngurta PM10 janë sektorët rrugorë me trafik më të rënduar, si kryqëzimi i 21 dhjetorit, i Zogut të Zi, apo zona përreth sheshit Avni Rustemi.