Gratë Saudite do të votojnë për herë të parë në historinë e mbretërisë
“Mesazhi gjatë fushatës sime është i thjeshtë: Ndryshoni sistemin. Ndryshimi është jetë. Qeveria na ka dhënë këtë mjet, dhe unë kam ndërmend ta përdor atë,” tha Haifa Al-Hababi, një nga 21 kandidatet femra që po përgatitet për të dalë në zgjedhjet komunale të 12 dhjetorit raportohet nga Azia News.
Sistemi diskriminues i kujdestarisë mashkullore në Arabinë Saudite vazhdon të dominojë jetët e grave, edhe pse qeveria premton ta shfuqizojë atë. Sipas Human Rights Watch, sistemi i ndalon gratë të marrin pasaportë, të martohen, të udhëtojnë, ti japin makinës, apo të kenë akses në arsimin e lartë, pa miratimin e një kujdestari mashkull, zakonisht burri, babai, vëllai, apo djali.
I ndjeri Mbreti Abdullah Bin Abdul Aziz shpalli se femrat do të lejohen të kandidojnë për poste zyrtare dhe të zgjedhin përfaqësuesit në zgjedhjet e vitit 2015, pasi një protestë e mediave sociale për mungesën e të drejtave të grave ngjalli zemërim në internet në vitin 2011.
Mbreti Abdullah gjithashtu emëroi gra në organin këshilldhënës prej 150-anëtarësh të vendit dhe lejoi atletet femra të konkurojnë në Lojërat Olimpike në Londër në vitin 2012 për herë të parë, raporton The Washington Post
Pasardhësi i tij, Mbreti Salman i cili mori vendin në fillim të këtij viti, ka vazhduar të mbështesë përparimin e grave, duke çuar në një fluks të madh të punëtoreve femra që hyjnë në forcën e punës me një numër rekord.
Ekspertët thonë se qasja e femrës në forcën e punës duhet të rritet për të siguruar qëllimet afatgjata ekonomike dhe prosperitetin në Lindjen e Mesme.
“Të kesh përreth 50 për qind të fuqisë punëtore të mundshme të pa shfrytëzuar është një barrë,” tha Monica Malik, ekonomistja kryesore në Abu Dhabi e Bankës Tregtare në Emiratet e Bashkuara Arabe për Asia News.
Arabia Saudite zbaton një version të rreptë vehabi të Islamit Sunit, që vendos shumë kufizime për aktivitetet e grave dhe të drejtat sociale. Edhe në vitin 2015, gratë ende nuk mund ti japin makinës, të largohen nga shtëpia apo vendi pa një të afërm mashkull, apo të marrin trajtim mjekësor pa leje.
Demonstratat janë të paligjshme në Arabinë Saudite, ku familja al-Saud ka mbajtur një kontroll të fortë në pushtet që nga viti 1932. Protesta e parë e rëndësishme e vendit në favor të grave për ti dhënë makinës u mbajt në vitin 1995.
Në qershor të vitit 2011, dhjetëra gra i dhanë makinave në disa qytete për të protestuar kundër arrestimit të një gruaje, e cila postoi një video të vetën ku i jepte makinës, sipas një raporti nga Russia Today.
Një klerik i lartë fetar gjithashtu ngjalli polemika kur tha se studimet mjekësore provuan se ngarja e një makine dëmton vezoret e grave, duke dhënë shkas për një këngë satirike e cila doli në internet ditën e protestës së fushatës për vozitjen e makinës në vitin 2013.
Kjo mbretëri është gjithashtu edhe shtëpia e dy vendeve më të rëndësishme të shenjta për muslimanët, Mekës dhe Medinës. Vendi aktualisht po përballet me kërcënimin e al-Kaidës në Gadishullin Arabik dhe Shtetit Islamik në kufirin me Irakun. Të dy grupet radikale kanë përkrahje të madhe në Arabinë Saudite./A.A.