Nexhmija, kryefamiljarja e 30 personave
Nexhmije Qerimi është 65 vjeç, por ndryshe nga gratë e moshës së saj, nuk po kalon një pleqëri të qetë, pasi ka mbi kurriz të gjithë familjen, prej 30 anëtarësh. Jeta është e papritur dhe e shoqëruar plot ulje e ngritje. E gjendur përballë një sfide të tillë, Nexhmija, gjyshja rome, nuk dorëzohet, përkundrazi bëhet edhe më e fortë.
“Nëna për fëmijën është luaneshë”, thotë ajo. Lufton fort dhe përpiqet çdo ditë që në fund të sigurojë për fëmijët, nipërit, e stërnipërit diçka për të ngrënë. Ajo ka 5 fëmijë, dy djem dhe tri vajza.
Ashtu siç e kanë traditë familjet rome, martesat bëhen në moshë shumë të re dhe ndonëse 65 vjeç, ajo ka edhe stërnipër, pra është gjyshe e katër brezave. Nexhmija, të krijon përshtypjen e një zonje të fortë. por dukja ndonjëherë edhe të gënjen. Ajo rrëfen se brenda vetes e ka shpirtin plagë, pasi hallet nuk kanë fund.
“Jam gjyshja 65 vjeç. Më thotë mos u qaj kot se je e fortë, por ç’e fortë, më bën halli. Gjithë shoqet e mia rrinë në qetësi vetëm unë rri e vuaj. Nuk kam çfarë të bëj”, tregon ajo.
Mirëpo, meraku më i madh i Nexhmijes janë tre fëmijët memecë të vajzës, e cila është e ndarë nga bashkëshorti dhe ka për të rritur 7 fëmijë, tre prej të cilëve i ka memecë. E bija nuk merr asnjë ndihmë për fëmijët dhe qetësinë e mbështetjen shkon e gjen tek e ëma, Nexhimja, e cila stërmundohet që të mos e lërë në mes të katër rrugëve të bijën, së bashku me nipërit e mbesat.
“Vajza ime ka tre fëmijë memecë dhe nuk merr asnjë lloj ndihme, është e ndarë nga burri. Unë kam 5 fëmijë, dy djem dhe tre vajza. Njëra prej vajzave ka 7 fëmijë dhe po të mos vijë këtu tek unë, vdesin fëmijët për të ngrënë. Çfarë do të bëj më parë unë, nuk i le dot pa ngrënë do bëhem 400 copash për t’u siguruar, se nëna për fëmijën bën të pamundurën. Është e ndarë nga burri, nuk e le rrugëve, ka 3 fëmijë memecë. Po t’i vijë keq qeverisë na ndihmon dhe ne, asnjëherë nuk janë interesuar për ne. Kam edhe dy djem të martuar me fëmijë, kam edhe fëmijët e djemve të martuar po aty, të gjithë në një shtëpi rrimë. Ne bëhemi 7 familje gjithsej”, rrëfen 65-vjeçarja, e lodhur dhe e zhgënjyer nga jeta.
Mirëpo, hallet nuk mbarojnë këtu për të, pasi kushtet në të cilat ajo bashkë më familjen e saj jetojnë janë shumë të vështira. U mungojnë gjërat minimale, duke filluar që nga pajisjet elektroshtëpiake e deri te mungesa e një rruge për të kaluar. Nexhmija tregon se i mungon dushi, lavatriçja, gatuajnë me një sobë të vjetër dhe është e detyruar të dalë të mbledhë mbetje për të siguruar ushqim.
Shtëpia e saj ndodhet në fund të një rrugice që nuk është më shumë se gjysmë metri. Sipas saj është e pamundur që të kërkosh të fusësh edhe një dollap në shtëpi, për shkak të kësaj rrugice, e cila është zënë nga familje të tjera. Pa asnjë lloj plani dhe projekti familjet janë vendosur njëra pas tjetrës duke shkaktuar një katrahurë të vërtetë urbane.
“Dush nuk kam, lavatriçe jo, ndihmë ekonomike nuk marrin. Nuk marr asnjë lloj gjëje vetëm çfarë nxjerr më djersën time. Kemi bërë kërkesë, por asnjë nuk do t’ia dijë për ne. Jemi romë ne dhe nuk kemi të drejta. Ajo që më shqetëson tjetër është se rrugica jonë ku kalojmë nuk është më shumë se gjysmë metri. Nuk kemi mundësi që të kalojmë një dollap për ta futur në shtëpi. Unë jam e fundit fare në atë rrugicë”, thekson Nexhmija.
Ndër të tjera ajo tregon se fëmijët e kanë lënë shkollën. Njëra prej mbesave, pas largimit të mamasë së saj, nuk kishte më dëshirë të shkonte. “Goca në klasën e katër e la shkollën. Nuk do të shkojë më, i iku e ëma dhe ka ngelur pas meje. Për libra fëmijët e tjerë i kanë ndihmuar të tjerët, duke ua falur”, pohon Nexhmija, gjyshja 65-vjeçare.
Burimi: Gazeta Shqip