Miratohet rregullorja e re: 30 minuta pushim çdo tre orë për gratë shtatzëna
Gratë shtatzëna dhe nënat e reja tashmë kanë një rregullore për sigurinë që duhet t’u plotësojnë punëdhënësit në ambientet e punës. Këshilli i Ministrave ka miratuar një rregullore “Për prezantimin e masave për sigurinë dhe shëndetin në punë të grave shtatzëna dhe nënave të reja” në 15 korrik, por tashmë ka hyrë në fuqi, pasi dje u botua në Fletore Zyrtare. Qëllimi i kësaj rregulloreje është të përcaktojë rregulla të detajuara për mbrojtjen e sigurisë dhe të shëndetit në punë të punëmarrëseve gra shtatzëna dhe nënave të reja. Nëpërmjet kësaj rregulloreje përcaktohen qartazi risqet që nuk duhet të përballet në punë një grua shtatzënë, apo nënë e re ku përfshihen gratë që kanë fëmijë nën 1 vjeç, si dhe nëna me fëmijë në gji. Po ashtu, në nenin 5 të kësaj rregulloreje përcaktohet dhe koha e punës për këtë kategori.
Përcaktohet se këto gra kanë të drejtë të bëjnë pushim të paguar 30 minuta për çdo 3 orë pune. Siguria Vlerësimi i riskut që ka në vendin e punës një grua shtatzënë apo një nënë e re është detyrim që duhet ta bëjë punëmarrësi dhe ta vërë në dijeni punëmarrësen.
“Punëdhënësi vlerëson riskun specifik ndaj agjentëve, proceseve ose kushteve të punës, bazuar në natyrën, shkallën dhe kohëzgjatjen e ekspozimit në ndërmarrje ose në vendin e punës ku zhvillojnë aktivitetin punëmarrëset”, përcaktohet në nenin 3 të rregullores “Për prezantimin e masave për sigurinë dhe shëndetin në punë të grave shtatzëna dhe nënave të reja”. Nëpërmjet kësaj rregulloreje punëdhënësi vlerëson çdo risk për sigurinë ose shëndetin në punë dhe çdo efekt të mundshëm mbi shtatzëninë ose ushqyerjen me gji të fëmijës së punëmarrëses. Po ashtu, punëdhënësi duhet të marrë masat parandaluese dhe korrigjuese në rast se vlerësimi tregon ekzistencën e një risku për sigurinë apo shëndetin në punë, ose ndikimi mbi shtatzëninë apo ushqyerjen me gji të fëmijës së punëmarrëses.
Në pikën ‘C’ të nenit 3 parashikohet se në rastet kur një punëmarrëse nuk mund të kryejë një punë për shkak të risqeve që paraqiten, atëherë punëdhënësi duhet t’i caktojë asaj një detyrë tjetër dhe në pamundësi, i jep pushim të paguar. Po ashtu, përcaktohet se në asnjë rrethanë nuk detyrohen të kryejnë punë për të cilat vlerësimi i riskut tregon ekspozim ndaj agjentëve dhe kushteve të punës, të cilat rrezikojnë sigurinë apo shëndetin të renditura në shtojcën II, të kësaj rregulloreje. Koha e punës Kjo rregullore ka një nenë të veçantë për kohën e punës, neni 5, ku përcaktohen disa kushte dhe favorizime për gratë shtatzëna, nënat e reja që kanë fëmijë deri në 1 vjeç dhe ato që kanë fëmijë në gji.
“Punëdhënësi nuk mund të urdhërojë kryerjen e punës natën për punëmarrëset, në kuptim të nenit 2, të kësaj rregulloreje, nëqoftëse ajo është e dëmshme për shëndetin e gruas dhe të fëmijës, vërtetuar kjo me raport mjekësor, në përputhje me legjislacionin në fuqi, udhërrëfyesit dhe protokollet e praktikës klinike të kujdesit të gruas dhe të fëmijës në kujdesin shëndetësor parësor”, përcaktohet në pikë 1 të nenit 4 të rregullores. Masat e parashikuara në pikën e sipërcituar u japin të drejtën punëmarrëseve për t’u transferuar në një punë të ngjashme ditën, ose për të marrë pushim të paguar nga puna, ose për të zgjatur lejen e tyre të lindjes, nëse transferimi nuk është i mundur për shkaqe teknike ose objektive. Këto punëmarrëse kanë të drejtë të bëjnë pushim të paguar, jo më pak se 30 minuta çdo tri orë pune të vazhdueshme gjatë ditës. Po ashtu në një tjetër pikë përcaktohet se në përputhje me legjislacionin në fuqi, ato kanë të drejtë për leje të pagueshme nga puna për kryerjen e vizitave mjekësore, kur këto janë të nevojshme të kryhen gjatë orarit të punës/GSH