Nga shtatori, prerja e pyjeve dënohet me burg
Që nga muaji shtator, nuk ka më gjoba për ata që presin në mënyrë të paligjshme pyjet, por vetëm burg. Të dhënat e nxjerra nga fotografimet satelitore të vendit tonë, duket se kanë detyruar ministritë e Mbrojtjes dhe të Mjedisit, të marrin masa.
Për një periudhë 6 vjeçare, për shkak të erozionit dhe prerjeve abuzive të qytetarëve, Shqipëria ka humbur rreth 2 mijë hektarë sipërfaqje pyjore. Hapësira pyjore është reduktuar nga 33% në 2006-ën, në 26% sot.
Ndaj ministritë thonë se kanë vendosur të marrin masa. Do të mbillen sa më shumë fidanë si dhe do të ashpërsohen dënimet për ata që kapen duke prerë apo transportuar lëndë drusore, pa lejen e institucioneve përkatëse.
Tashmë do të ketë vetëm burg, i cili mund të shkojë deri në pesë vite heqje lirie.
Zona më e prekur nga dëmtimet është ajo e Lurës ndërsa Dajti, Valbona e Thethi nuk janë pjesë e kësaj harte. Për sa i përket sipërfaqes urbane në vend ajo është rritur me 1% ndërsa po me të njëjtin ritëm është ulur hapësira rurale.