Avokati i Popullit: Të ndërpriten shembjet e banesave në Selitë
Ngjarja e familjeve rome në zonën e Selitës, nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga Avokati i Popullit. Z Igli Totozani, i është drejtuar Bashkisë së Tiranës, Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të ALUIZNI-t, me disa rekomandime per rastin e 9 familjeve rome, të cilat preken nga ndërtimi i Unazës së Re në Selitë të Tiranës.
- Analizimin e kujdesshëm dhe përfundimin në një kohë sa më të shpejtë të procedimeve administrative për konstatimin e pavlefshmërisë absolute, të vendimeve të nxjerra nga ana e Drejtorive Rajonale të ALUIZNI-t. Sa i takon objekteve të ndërtuara deri më 10.08.1991 dhe të truallit funksional të tyre, në rastet kur nuk posedohen akte të fitimit të pronësisë, në referencë të ankesave të paraqitura nga 9 familjet ankuese, të cituara në këtë rekomandim.
- Verifikimin e të gjithë praktikave të tjera të përfshira në ankesat e 9 familjeve në fjalë, për të cilat nuk është marrë ende një vendim dhe që janë në trajtim e sipër nga ana e ALUIZNI-t, si dhe marrjen e masave urgjente për trajtimin e tyre korrekt ligjor.
- Ndërprerjen e çdo veprimi të mëtejshëm, apo pezullimin e ekzekutimit të çdo akti të nxjerrë nga ana e IKMT-së, deri në vendimmarrjen përfundimtare nga ana e Bashkisë Tiranë, për kalimin e pronësisë së banesave të familjeve ankuese dhe të truallit funksional të tyre.
- Përshpejtimin maksimal të procedurave dhe afateve të vendimmmarrjes për kalimin e pronësisë së banesave të familjeve ankuese dhe të truallit funksional të tyre, për të cilat ato nuk posedojnë akte të fitimit të pronësisë.