Ditari i Marias, vuajtjet, frika dhe ëndrrat e 14-vjeçares që humbi jetën rrugës për në Greqi
“Zoti dashtë të më plotësohet dëshira për shkollë dhe për në Gjermani”, shkruan Maria 14- vjeçare në ditarin e saj. Këto fjalë vajza i ka shkruar gjatë një udhëtimi ilegal për në Greqi me prindërit Jakov dhe Elona Sholla për ti shpëtuar varfërisë.
Siç u raportua dhe në media pak ditë më parë, ky udhëtim përfundoi në mënyrë tragjikë pasi vajza 14- vjeçare humbi jetën. Elona Sholla rrëfen bisedën e fundit me vajzën e saj, përpara se ajo të mbytej në lumin ku kishte ndaluar për të pushuar.
“I thashë mos lëviz që këtu sepse mami sa të shkojë deri te babi dhe do vijë, mirë moj mami tha ajo këtu do rri unë. Moj mami tha ajo unë s’jam larë asnjëherë në plazh kjo është hera e fundit që po e bëjë unë këtë plazhin tha ajo. Të keqen mami i thash unë mos ik më thellë, rri këtu edhe ule zërin sepse ishte duke kënduar e duke qeshur vajza. Të keqen mami i thash unë rri këtu sa të iki deri te babi edhe erdha. Neve thërrisnim Maria, Maria, Maria, ajo ishte mbytur”, shprehet nëna e 14vjeçares.
Çdo natë vajza shkruante në ditar, përpara se të flinte Maria ka shkruar rreth frikës nga policia që i detyronte të flinin mes arave, lodhjes nga tri ditët e udhëtimit, por edhe ëndrrat dhe shpresën për një jetë më të mirë.
“I dashur ditar. Unë arrita në Greqi. Kaluam malet dhe udhëtuam gjithë natën. Tani që po të shkruaj, ndodhem në një pyll ku ka shumë pak pemë dhe është një mal shumë i lartë. Pas pak errësohet. Do ta nisim nga fillimi jetën. Babi më tha se për dy orë do të nisemi. Por ka shumë policë. Prandaj po presim sa të errësohet edhe pak”, shkuan 14-vjeçarja.
Marian tregon se si është ndjerë kur e larguan nga shkolla, përshkruan problemet dhe dilemat e saj me një gjuhë që të bën përshtypje për një vajzë të vogël.
“ Po lë shkollën për shkak të kurbetit, ndoshta rruga është e vështirë, por do ta përballoj, rruga përballohet, por malli jo. Do doja që më mirë të përballoj fukarallëkun sesa mallin. Ndoshta do ishte fundi i varfërisë. Do të më marrë malli për vëllain dhe motrën, po sikur ti takoj pasi të jenë rritur. A ta dish sa dhimbje që kam, sepse nuk është thjeshtë të ikësh.”, ka shkruar ajo.
Kjo histori e përshkruar nga sytë e një fëmije, është historia e shumë familjeve që përpiqen të shpëtojnë nga mjerimi, por që fatkeqsisht përfundoi në mënyrë tragjike.