Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Duhet më shumë bashkëpunim mes Drejtorisë së Burgjeve dhe Avokatit të Popullit
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar me një deklaratë për shtyp, për ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë me punonjësit e zyrës së Avokatit të Popullit.
Vetëm disa ditë më parë, në datë 21 korrik, përfaqësues të Avokatit të Popullit nuk janë lejuar të hyjnë në Institucionin e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale në rrugën Mine Peza. Zyra e Avokatit të Popullit kishte shkuar në këtë institucion për të verifikuar dy ankesa të personave të burosur. Ata nuk janë lejuar të hyjnë, me pretendimin se ka përfunduar orari zyrtar i punës.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkon në njoftimin për shtyp, më shumë bashkëpunim të këtyre institucioneve me Avokatin e Popullit dhe organizata të shoqërisë civile për një monitorim sa më të mirë të burgjeve dhe mbrojtjen e të drejtave të personave të burgosur.
Nga ana tjetër, KShH, i kërkon Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të reagojnë dhe të marrin masa për këtë rast, pasi Avokati i Popullit është një institucion që gëzon të drejta të hyjë lirisht në ambientet e burgjeve.
“Pengimi i përfaqësuesve të institucioneve shtetërore për të vizituar burgjet është në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi. Sipas Ligjit nr. 8328, dt. 16.04.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”, i ndryshuar, dhe Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, ky institucion, në ushtrim të funksioneve të Mekanzimit Kombëtar për parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Cnjerëzor mund të hyjë lirisht në të gjitha vendet dhe mjediset ku është kufizuar liria e individit si dhe të takohet, pa u mbikqyrur, me personat e burgosur”, shkruhet në njoftimin për shtyp.
/m.g