Futet sistemi i “burgjeve të hapura” në projektligjin e ri për të drejtat e të dënuarve
Ministria e Drejtësisë ka hartuar një projektligj të ri për “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. Nisma parashikon masa shtesë ndaj të burgosurve në rast se konstatohen qëllime kriminale si dhe funksionimin e burgut të hapur që parashikom më shumë liri për të dënuarit.
Në rast konstatimi të qëllimeve kriminale, do të merrën masa edhe pa vendim Gjykate.Një propozim i tillë bëhet jo vetëm për arsye të sigurisë së brendshme të institucionit, por edhe të sigurisë së jashtme. Pezullimi përfshin kufizimet e nevojshme për të ruajtur rendin dhe sigurinë në institucion si dhe për të parandaluar lidhjet me jashtë të të dënuarve për këto vepra penale. Në të tilla raste, masa mund të zgjasë deri në një vit por edhe mund të përsëritet kur ka dyshime të bazuara se vazhdojnë përpjekjet për të mbajtur lidhjet me elementë kriminalë nga jashtë.
Projektligji parashikon gjithashtu përfshirjen në legjislacionin shqiptar të burgjeve me regjim të hapur, që sipas ministrisë së Drejtësisë, kanë si qëllim përmirësimin e funksionit të rehabilitimit social dhe riintegrimit për të dënuarit. Një burg i hapur është një institucion në të cilin i burgosuri kryen dënimin me mbikëqyrje dhe perimetër sigurie minimal dhe nuk mbyllet në qelitë e burgut. Kalimi i të dënuarve në këto institucione, do të shërbejë si një fazë parapërgatitore për çastin e lirimit të tyre.
“Ideja është që i burgosuri del nga qelia në mëngjes dhe shkon në vendin e punës së tij. Pas përfundimit të punës, ai menjëherë do të kthehet në institucion dhe të mbetet aty deri në mëngjesin tjetër, në qoftë se nuk ka leje ose pushime. Në institucion, të burgosurit mund të marrin pjesë në aktivitete të kohës së lirë, të zhvillojnë aktivitete sportive dhe të përfitojnë në trajtimin e ofruar atje.
Shumicën e fundjavave i burgosuri mund t`i kalojë me familjen e tij. Të burgosurve në një burg me regjim të hapur sigurisht që do t`u duhet t`i përmbahen në mënyrë strikte rregullave të specifikuara. Konsumi i alkoolit ose kthimi me vonesë mund të çojë zhvendosjen e të burgosurit në burgje të mbyllura”, – thuhet në projektligj. /Panorama.com.al