Të pastrehët mund të privatizojnë objektet shtetërore të kthyera në banesa, pagesa për 25 vjet
Banorët që kanë marrë autorizime mund të blejnë “shtëpitë” e tyre.
Përllogaritja
Vlera – Vlera totale e privatizimit është shuma e vlerës së njësisë së banimit me vlerën e truallit dhe shpenzimet hipotekore
Çmimi – Vlera e njësisë së banimit llogaritet nga sipërfaqja e njësisë së banimit herë kostoja lekë/m² e ndërtesës
Referenca – Kostoja mesatare e ndërtimit e Entit Kombëtar të Banesave që përdoret në përllogaritje miratohet çdo vit nga qeveria
Godinat shtetërore të zëna nga të pastrehët apo ndërtesa të përshtatura për banim me autorizim të bashkisë apo komunës, do të privatizohen. Personave në vështirësi ekonomike do t’u jepet mundësia të paguajnë me këste.
Me një vendim të posaçëm, qeveria ka caktuar procedurat e privatizimit të banesave dhe objekteve të kthyera në shtëpi me vendime të organeve të qeverisjes vendore. Në mungesë të apartamenteve, organet e pushtetit vendor kanë sistemuar familjet për banim në këto ndërtesa, duke i pajisur me autorizime apo leje. Mbështetur në ligjin “Për programet sociale të strehimit”, me propozimin e ministres së Zhvillimit Urban, qeveria ka vendosur që pronësinë e këtyre objekteve t’ua kalojë banorëve.
Bëhet fjalë për ish-konvikte, kabina plazhi, kapanone industriale, reparte ushtarake etj., të përshtatura për strehim. Sipas vendimit, procedura e privatizimit fillon mbi bazën e kërkesës së subjektit të pajisur me autorizim nga organet kompetente ose, në rast vdekjeje, të trashëgimtarëve të tij.
Kërkesa duhet t’i dërgohet me rrugë postare (letër rekomande), brenda 1 (një) viti nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi, njësisë së qeverisjes vendore, në territorin administrativ të së cilës ndodhet banesa. Familja, e cila nuk depoziton kërkesën dhe dokumentacionin e përcaktuar apo nuk lidh kontratën e privatizimit brenda afateve, humbet të drejtën për të kërkuar privatizimin e banesës në të cilën është strehuar. Me aprovimin dhe pranimin e dosjes për privatizim, familja përfituese ka detyrimin të lidhë kontratën e privatizimit me njësinë e qeverisjes vendore, brenda 1 viti nga data e marrjes së këtij vendimi.
Nëse familja nuk paraqitet të lidhë kontratën e privatizimit brenda dy vjetëve nga regjistrimi i pronës në emër të bashkisë, atëherë banesa mbetet në pronësi të njësisë vendore, për t’u përdorur për banesë sociale me qira sociale.
Mënyra e pagesës
Vlera totale e privatizimit, e përllogaritur sipas formulës që cakton vendimi, shlyhet nga familja përfituese në mënyrë të menjëhershme ose me këste mujore të barabarta, me afat likuidimi deri në 25 vjet, me 2% interes në vit.
Lidhur me formën e pagesës së vlerës së kontratës, pagesë e plotë apo me këste mujore, kjo caktohet rast pas rasti, nga njësia e qeverisjes vendore. Në rastin e shlyerjes me këste mujore, kalimi i pronësisë bëhet pas shlyerjes së këstit të fundit. Shumat e arkëtuara nga privatizimi i banesave apo objekteve të kthyera në fond banese të depozitohen në buxhetin e njësisë së qeverisjes vendore që kryen procedurat e privatizimit.
Fondet e përfituara nga privatizimi janë të kushtëzuara dhe përdoren nga njësia e qeverisjes vendore vetëm për qëllime të strehimit social. Për prona që nuk janë në pronësi të njësisë së qeverisjes vendore i kërkohet organit shtetëror, që ka pronësinë mbi to, kalimi i së drejtës së pronësisë së pronës, me qëllim privatizimin.
Pas kësaj, procedohet me privatizimin në favor të familjes së strehuar në atë objekt.