Për çfarë arsye ju duhet “Xhoi”?
Nga Kristi Pinderi
Unë nuk besoj se media në Shqipëri është një pasqyrë e shoqërisë. Besoj se media në Shqipëri është një prej elementëve më të korruptuar të shoqërisë sonë. Për fat të keq është një prej fatkeqësive të vendit tonë. Fatkeqësi është media që kemi, jo shijet e shoqërisë.
Mund të kuptoj injorancën e disa pronarëve të medias që i kanë dhënë fytyrën e tyre të shëmtuar gazetave që mbajnë në këmbë, por nuk kuptoj si kanë paturpësinë që kuriozitetin e tyre pervers dhe vrasës t’ia imponojnë gjithë shoqërisë?!
Ka disa gazetarë që po vdesin nga ky lloj kurioziteti për të gjetur se kush është “Xhoi” e përmendur në letrën e një vajze që dyshohet të ketë vrarë veten. Mund të kuptoj detyrimin ligjor të policisë për të hetuar mbi ngjarjen dhe për të arritur në konkluzione shkencore të hetimit nëse rasti në fjalë ishte vetvrasje apo jo. Por për çfarë arsye i duhet medias të dijë se kush është, ku është dhe si është “Xhoi”? A thua “Xhoi” është vrasëse dhe a thua tani medias i duhet dikush për ta kryqëzuar.
Veç kësaj disa njerëz pa tru që qëndrojnë pas kompjuterave në redaksi kishin publikuar sot dhe videon e një djali tjetër të ri që u hodh pardje nga një pallat në qendër të Tiranës!
Po i bëj një pyetje Temes dhe Balkanweb (jam i sigurt e kanë botuar dhe të tjerat por nuk kam asnjë arsye tashmë të ulem dhe ta shikoj prapë) meqe e pashë të botuar te keto media atë video: Nëse Youtube e heq videon sepse është makabre, për çfarë arsye duhet ta botoni ju?
Cfarë na thoni ne lexuesve përmes asaj videoje? Për cfarë na informoni? Për cfarë na edukoni? Ja si bie një trup në rënie të lirë dhe se çfarë zhurme bën kur takon trotuarin? A keni fëmijë ju? Do i lejonit ata ta shikonin një video të tillë? Ma merr mendja jo! Atëherë për çfarë arsye ua përplasni në fytyrë fëmijëve të të tjerëve e kujtdo, i rritur apo i mitur që ka akses në internet?
Kjo situatë duhet ndryshuar. Nuk mund të ketë një institucion që merret vetëm me median audiovizuale por jo ama edhe me audion edhe me videon që postohen nga media online. Nuk bën fare sens.
AMA duhet të jetë një institucion i besueshëm me njerëzit më me integritet të shoqërisë sonë dhe që të ishte në gjëndje të vinte gjobat dhe sanksionet më të dhimbshme për këdo media, TV, radio apo e shkruar dhe online që guxon të na neverisë me shëmtinë e vet.