UNESCO heq nga lista e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, Beratin dhe Gjirokastrën
Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, në takimin që po mbahet në Bon të Gjermanisë që prej 28 qershorit – deri në 8 korrik, vendosi në mënyrë unanime heqjen e qendrave historike të Beratit dhe Gjirokastrës nga Lista e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
Ministrja Kumbaro tha sot se ky vendim i UNESCO-s erdhi pasi u vlerësua progresi i arritur në menaxhimin e siteve të Gjirokastrës dhe Beratit gjatë dy viteve të fundit.
“Ky raport është pjesë e bashkëpunimit që Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të kulturës zhvillon me UNESCO-n që nga vjeshta 2013 për shkak të gjendjes së degraduar të monumenteve në vitet e shkuara”, – tha Kumbaro.
Në 2013-ën, Qendra e Trashëgimisë Botërore, ka nxjerrë një raport ku i konsideronte përmasat e ndërtesave pa leje në këto dy qytete alarmante. Po ashtu thuhej se trashëgimia kulturore ishte në situatë shumë të vështirë dhe kishte pësuar degradim për shkak të punimeve të ndërtesave ilegale dhe të mungesës së masave për t’i trajtuar këto dhunime.
“Duhet të theksojmë se sidomos vitet 2011, 2012-2013 janë vite të rënduara të marrëdhënieve të shtetit shqiptar me UNESCO-n, pasi misionet speciale të monitorimit kanë prodhuar raporte emergjence pas vizitave dhe informacioneve të gjendjes së Qendrave historike të Gjirokastrës dhe Beratit”, u shpreh ministrja.
Por sipas Kumbaros, Komiteti ka vlerësuar ecurinë në reforma dhe masat e marra nga qeveria shqiptare për ndalimin e ndërtimeve të paligjshme dhe zbatimin e rekomandimeve të Komitetit dhe vendosi në mënyrë unanime që kjo pasuri nuk do të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. /M.G/
Agjencia Telegrafike Shqiptare