ISHP: Në Shqipëri janë mbi 60 mijë përdorues të drogës
Numri i përdoruesve të drogës po rritet çdo ditë, ku një problem shqetësues janë edhe fëmijët. Sipas shifrave zyrtare, në vendin tonë janë 6000 persona të varur nga drogat e forta.
Ndërsa shefi i toksikologjisë në QSUT, Zihni Sulaj, thekson se numri i tyre është më i lartë, pasi jo të gjithë paraqiten për të marrë shërbim mjekësor.
“Janë paraqitur gjashtë mijë e ca raste përdoruesish problematikë, të drogave të forta, atyre me injeksion dhe të kokainës. Kjo shifër prezanton vetëm 15 për qind të atyre që kanë arritur në shërbimet mjekësore, që do të thotë se këtë shifër duhet ta shumëzojmë me pjesën e ngelur. Ndërkohë kemi një rritje të përdoruesve të kokainës, nga katër për qind që ka qenë para pak vitesh, në 15 për qind”, ka deklaruar Zihni Sulaj, shef i shërbimit të toksikologjisë.
Këtë vit, vihet re një tjetër problem shqetësues që ka të bëjë me rritjen e përdoruesve të drogave të forta. Në shërbimin e toksikologjisë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” shtrohen çdo vit 400 vetë, për shkak të problemeve me drogën. Rreth 250 persona kalojnë në overdozë dhe 1600 të tjerë vijnë si raste urgjente.
Të dhënat tregojnë se situata po fillon të bëhet mjaft problematike. Specialisti i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, shprehet se 200 mijë shqiptarë kanë provuar kanabisin.
“Rreth 200 mijë shqiptarë kanë eksperimentuar kanabisin. Rreth 10 deri në 20 mijë kokainën. Duhet të merremi më shumë me kanabisin, me kokainën, ndërsa heroina ngelet problem serioz, me një fuqi të madhe varësie dhe dëmtim serioz për shëndetin”, ka deklaruar specialisti i ISHP-së, Alban Ylli.
Nga ana tjetër, drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastirliu, theksoi angazhimin e shëndetësisë në lidhje me trajtimin e personave që kanë fituar varësi ndaj drogave. Ndërkohë, kërkohet një bashkëpunim me të gjitha strukturat për të ulur ofertën e drogës në vend ndaj kërkesave.
Shqetësimi kryesor janë trafikantët e shtuar të drogës, të cilët e orientojnë atë gjithmonë e më shumë drejt të rinjve. Shpesh shpërndarësit e drogës kapen pranë shkollave të mesme.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik për vitin që lamë pas, në Shqipëri janë 60 mijë përdorues të drogës, ku më problematikët janë grupmosha 18-25 vjeç. Në lidhje me llojin e drogave më të përdorura, të parat janë prodhimet e kanabis në rreth 65%; përdoruesit e opiateve, kryesisht heroinë, janë 20-25%; rreth 10% janë përdorues të kokainës etj. Konstatimet tregojnë një rritje të preferencave për substanca sintetike, të ashtuquajtura të klubeve, veçanërisht ekstazi. Rreth 48% e përdoruesve e marrin drogën me injektim, 37% me tymosje dhe rreth 11% me thithje nga hunda. /Gazeta Shqip