Gjykata Supreme “shpëton” Obamën
Vendimi i shumëpritur i Gjykatës Supreme të SHBA që kishte të bënte me reformën shëndetësore të presidentit Obama ose e quajtur “Obamacare” u bë publik sot.
6 nga 9 prej gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të SHBA-së votuan për ta rrëzuar një kërkesë që kërkonte të ndalonte sponsorizimin në nivel federal të sigurimit shëndetësor.
Kjo reformë e realizuar nga Obama u ka dhënë mundësi miliona njerëzve në Amerikë që t’i kenë të mbuluara shpenzimet shëndetësore. Në rast se vendimi i sotëm i Gjykatës Supreme do të ishte ndryshe, atëherë miliona qytetarë nuk do të kishin mundësi të përfitonin shërbimin shëndetësor.
Dy prej anëtarëve konservatorë të Gjykatës u bashkuan me grupin e konsideruar liberal dhe kështu u formua shumica që i dha të drejtë Obamës, i cili me siguri do të mbahet mend në histori sidomos për reformën shëndetësore.
Gjykatësi Anthony Kennedy shkroi në opinionin e tij se “reforma është bërë për të ndihmuar tregun e sigurimeve, jo për ta shkatërruar atë”.
Shumë presidentë në të kaluarën kanë tentuar ta reformojnë sistemin e sigurimeve shëndetësore në SHBA, një sistem kompleks që deri para disa muajsh nuk u jepte mundësi miliona njerëzve të varfër apo të papunë apo me sëmundje kronike, që të përfitonin shërbimet shëndetësore.
Por që të gjitha përpjekjet në të kaluarën kanë dështuar. Obama pati guximin për ta çuar deri në fund dhe ashtu siç administrata e tij parashikoi, reforma tani jo vetëm u jep mundësi miliona të varfërve të jenë të siguruar, por ajo nuk ka dëmtuar aspak tregun privat të sigurimeve, përkundrazi i ka dhënë më shumë frymëmarrje.
Gjykata Supreme e SHBA i njofton vendimet e saj zakonisht në muajin qershor. Por këtë herë vendimet e saj kryesore si kjo e reformës së Obamës apo një tjetër vendim për martesat gej vonuan përtej parashikimeve duke rritur tensionin e pritjes.
HuffPost njofton se sipas gjasave nuk do të mund të sfidohet më asnjëherë në Gjykatën Supreme pas këtij vendimi.